Opinion nga Xhevdet Zekaj/ Federatat pak para lëmoshë apo buxhet për t’i skllavëruar e përdorur…

Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj

Morëm vesh se u rrit fondi i qeverisë për federatat sportive në vendin tonë. Një lajm i mirë për të kaluar nga 650 mijë dollarë në rreth 1 milion e 900 mijë dollarë. Media në orgazëm, presidentë federatash anonime dhe disa fantazmë  bashkë me tamatamexhinjtë shpërthyen në orgazëm a thua kjo ishte lufta finale për sporti, se për xhepat disave nuk ishte dhe aq keq…

Kjo rritje nuk është asgjë në fakt me aq sa i duhen vetëm Izmir Smajlaj dhe Luiza Gegës për të marrë një medalje europiane apo botërori. Dhe është akoma qesharake për Briken Çalën e kompani. E nëse do të krahasonim më këtë palo buxhet me fondin e qeverive Kosovë e Mal të Zi kupton që nuk kemi ndonjë zgjidhje por qoka, por vetëm nëse marrim parasysh inflacion dhe çmimet super të larta atëherë kuptojmë që kokoshi katandiset një thelë.

Por, çfarë janë këto para që u shtuan? Asgjë fare. Së pari sqarojmë publikun se këto janë para nga suficiti buxhetor, që erdhi nga rritja e çmimeve jo vetëm të naftës dhe ushqimeve, por edhe TVSH, edhe të ardhurat doganore, edhe taksat etj. Pra, nëse qeveria fitonte 20 lekë për çdo litër naftë, me rritjen e çmimeve i takon të arkëtojë pothuaj 60-80 lekë, nëse marrim një shembull ilustrues.

Pra shkurt fare, ky fond nuk ishte planifikuar në buxhet, por është rritje që nuk mjafton, fiktive, sepse rritja e karburantit dhe e mjaft çmimeve të produkteve të shportës e kanë rënduar jetën e sportistit dhe gjithë kostot e tyre.

Po vazhdojmë më tej. Pse qeveria i jep kaq pak lekë sportit dhe federatave? A mund të zgjidhet pavarësia ekonomike në futboll dhe sporte të tjera me kësi kacidhesh? Jo, asgjë nuk bëhet me lëmoshë, me disa para që rrjedhin nga taksat e shqiptarëve, çmimet e rritura.

Të gjitha qeveritë dhe pushteti vendor kujtohen për ndonjë “kothere” për futbollin dhe sportet e tjera në fushata elektorale, para votimeve, që ata të robëruarit të jenë gati në votime. Pra, jepen ca para për të marrë në këmbim votat e pjesës së sportit.

Çfarë mund të zgjidhë kjo mënyrë sjelljeje e ekzekutivit? Thjesht synon për ta nënshtruar sportin, për ta mbajtur në kushte mbijetese. Për ta pasur nën kontroll sportin mjafton të shohim se si disa militantë emërohen e “hedhin rrënjë” për vite të tëra në krye të federatave. Madje, ka nga ata që kalojnë ylberin, nga një parti në tjetrën, vetëm për të mbijetuar si presidentë federatash të ndryshme.

Ky nuk është vizion, strategji apo zgjidhje përfundimtare, aq më shumë që dihet se në këto federata(përjashto futbollin) nuk kanë produkt, nuk gjejnë dot sponsor pra thjeshtë vegjetojnë me thërrime dhe për ti shitur shpirtin djallin(pushtetit qendror e lokal). Po e përsëris nuk është strategji, nuk ka lidhje me vizionin, por vetëm me mbijetesën, përdorjen.

Cila do të ishte zgjidhja? Rregullimi i buxheteve të sportit njëherë e mirë; futja në lojë e një takse nga lojërat e fatit, siç e ka Europa. Le të barazohemi në këtë drejtim të paktën me nivelin që ka Kosova, Maqedonia e Veriut, nuk po shkojmë më larg. Shkurt, kjo rritje e fondit për federatat me lekët e ardhura nga rritja e çmimeve shërben vetëm si oksigjen për t’i nxjerrë ato nga koma, në asnjë mënyrë nuk iu jep mundësinë për të punuar me talentet, le më të trajtojnë si duhet kampionët kombëtarë dhe më tej.

Ne gëzohemi kur qeveria shqiptare i jep padel-it 450 mijë dollarë( a thua ky padeli na mungonte) si sport i ri dhe 5 milionë dollarë për masivizimin e sportit në sistemin arsimor (volejboll dhe basketboll) nëpërmjet KOKSH. Kjo është një fitore 5 milionë euro jo pak mendoj.

Natyrisht, duhet ta falënderojmë KOKSH-in që siguron këto fonde për masivizimin e sportit, por kur flasim për basketboll dhe volejboll në shkolla, apo kampionët e sporteve individuale, më shumë se vizion qeveritar kemi qoka që bëhen për fushata elektorale, në funksion të votave në zgjedhjet e radhës por dhe për meritë të projekteve dhe besueshmërisë së KOKSH-it

U rrit buxheti i federatave, shkoi afër 2 milionë dollarë, por kjo gëzon presidentët e federatave fantazmë, madje disa janë miliarderë dhe bëjnë punë vullnetare apo kontribuojnë për fitim. Shumë mirë ky buxhet, por edhe më mirë do të ishte nëse zgjidhet një herë e mirë pavarësia e sportit. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *