Mesfushori ofensiv i Kukësit, Elton Kale, nuk po kalon pushime të qeta, pasi ndryshe nga futollistët e tjerë, po i kalon festat në spital. Braziliani është operuar paraditen e sotme në një nga spitalet në Tiranë, për shkak të një dëmtimi pësuar në ndeshjen mes Teutës e Kukësit, luajtur më 17 dhjetor.
Gjatë përplasjes dhe manovrës me topin, ai u rrëzua dhe lojtari kundërshtar e ka shkelur me taka në dorën e djathtë. Çuditërisht, Kale luajti edhe në ndeshjen e fundit të vitit, kundër Luftëtarit, duke qenë në fushë për 62 minuta, por duket se shërimi i dëmtimit në dorë nuk ka shkuar ashtu si pritej dhe është dashur ndërhyrja kirurgjikale. Kukësi njofton se operacioni i kryer nga mjekët doli me sukses dhe Kale është i gatshëm t’i bashkohet ekipit për fazën përgatitore që do të zhvillohet në Antalia prej 4 janarit.