Partizani ka ende një çështje të hapur me Komisionin e Etikës, për titullin e vitit 2016, të fituar nga Skënderbeu, që tashmë rrezikon 10 vite përjashtim nga kupat e Europës. Kjo ka nxitur drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama, të dalë sërish në konferencë për shtyp, duke kërkuar atë titull që ka mbetur ende pezull. FSHF shprehet se përgjigja e CAS-it do të vërë në lëvizje procedurat, por Rama këmbëngul se FSHF ka gabuar, duke i hequr Skënderbeut 12 pikë pa vlerë nga një sezon që nuk kishte lidhje me atë që gjykohej.
“Në radhë të parë, më lejoni ta shpreh se ndiej keqardhje për dënimin e kërkuar nga UEFA, sepse shkon në dëm të futbollit shqiptar. Është një pasqyrim i shëmtuar i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht, kjo është pasqyra e futbollit tonë. Megjithatë, unë ndoqa këtë listën e ndeshjeve të dyshuara për të trukuara nga Skënderbeu, që ishin investiguar nga ekspertët e UEFA-s, dhe nuk e pashë askund emrin e Partizanit.
“Ne jemi klubi model në këtë drejtim, sepse luajmë me rregullat e lojës. Këto rregulla prishen nga faktorët e tretë, pastaj. Çështja e titullit është një kapitull i hapur për ne. Mendojmë se përpos përfitimeve financiare të Skënderbeut në kurriz të kampionatit dhe kundërshtarit, ne e kemi me meritë atë titull. Që në fillim federata duhet të kishte marrë një vendim të drejtë. Ajo ka aplikuar gabimisht, mbase edhe qëllimisht, duke i hequr titullin Skënderbeut, por vetëm 12 pikë në sezonin pasardhës, minimalen. 12 pikë është dënimi minimal që jepet në rastin e trukimeve. Në rast se do të aplikohej rregullorja, këto 12 pikë duhej t’i ishin hequr nga kampionati i trukuar dhe automatikisht, Partizani renditej i pari dhe dilte kampion. Arsyeja pse janë hequr pikët në kampionatin pasardhës, që nuk kanë ndikuar në të, nuk e shpjegoj dot. Ky është aplikim i një rregulloreje sipas standardeve alla federatë”.