“Odiseja” e Olajinkës, nigeriani që e nisi nga Shqipëria dhe ka pushtuar Belgjikën

E mbani mend Piter Olajinkën? Të paktën në Korçë e mbajnë mend mirë dhe nëse kthehet në Shqipëri, tifozët do paguanin nga xhepi ta merrnin sërish në Korçë. Nëse kthehet në Shqipëri, thamë, sepse nuk ka shans që ky lojtar të shkelë në Superiore edhe për shumë vite. Është vetëm 22 vjeç, sulmues krahu e qendre, një rrufe në fushë, me teknikë fenomenale.

Në Shqipëri e solli Bylisi, në një kohë kur në Ballsh zbarkonin shumë të rinj, edhe minorenë, nga Afrika. Më pas u mësua që kjo praktikë nuk lejohej, por kjo është histori tjetër. Olajinka i shkretë e tregoi klasin e vet pa mbushur 18 vjeç, por më pas iku në Qipron Veriore, për të luajtur futboll që nuk njihej nga FIFA (historia e minoreneve).

Në vjeshtën e vitit 2014 Skënderbeu e ktheu në Shqipëri, duke u futur paksa në sherr edhe me Kukësin. Olajinka bëri zgjedhjen e jetës, sepse në Korçë i gjeti të gjitha: qetësi mendore, njerëz të dashur, klub super të organizuar dhe një president që e trajtoi shumë mirë. Në janar 2016, pas shumë golash në Korçë, Olajinka hodhi hapin e madh: transferim për qindra e mijëra euro në Belgjikë, te Genti.

Klubet belge janë shumë të kujdesshëm për të zbuluar talente, por Piteri i pafat u dëmtua rëndë sa shkoi. Muaj të tërë pa futboll, një torturë pa fund. Në verë Genti e dha në huazim te Dukla e Pragës në Çeki, sepse kishte besim te djaloshi nigerian me fizik prej sprintieri.

Vetëm 6 gola në 29 ndeshje, te Dukla, por ishte procesi i rritjes, i rigjetjes së formës, ndërsa loja e tij mahniti Zulten, klub belg që gjithashtu adhuron të punojë me talentet. Problemi ishte se Genti nuk e lëshonte xhevahirin e vet, ndaj Zulte u detyrua ta merrte veç në huazim verën e shkuar.

24 ndeshje deri tani, 8 gola e 4 asiste, Olajinka ka çmendur Varegemin, që do të vijojë të luajë në play-off për një vend në Europa League, pas ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve. Te Zulte thonë që një sulmues si ai nuk e kanë pasur prej shumë vitesh, u mungonte një lojtar me klas, finesë, nuhatje goli, shpejtësi, një miks fenomenal. Fati i Gentit! Ndërkohë, një ndër faqet më të mëdha të përpilimit të statistikave për lojtarët dhe më e përdorura nga agjentët dhe klubet anembanë botës, “Wyscout”, ka publikuar formacionin më të mirë Under-23 në Belgjikë për këtë sezon. Në formacion është përfshirë edhe Olajinka, me 12 perlat e tij (gola+asiste) që deri në fund të sezonit mund të shtohen, para kthimit te Genti, ku e presin me plane të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *