Myrto Uzuni është një nga lojtarët kryesorë të Shqipërisë dhe i përdorur jo pak nga Silvinjo, i cili po jep kontributin e tij në suksesin drejt arritjes në Europianin e Gjermanisë. “Sport Ekspres” ka nisur edhe një rubrikë të re, Koha Shtesë, ku mund të ndiqni intervistat me Skype me lojtarët e Shqipërisë. Në mbrëmjen e sotme kemi publikuar intervistën me Myrto Uzunin. Fillimisht sulmuesi i Granadas ka kujtuar kohën kur ishte në Berat dhe nuk kishte 4 mijë lekë për të shkuar me autobuz për një ndeshje.
“E mbaj mend atë periudhën e vështirë të jetës sime, prandaj jam shumë i fort sot se nuk dua të kthehem atje ku kam qenë më parë. Kanë qenë shumë sakrifica, madje nuk kam pasur as lekë për të udhëtuar me ekipin e Beratit për të shkuar në ndeshje, të cilat kushtonim vetëm 4 mijë lekë. Sot nuk janë asgjë sigurisht, por atëherë kanë qenë shumë për mua. Nuk kisha asnjë mundësi për të përballuar udhëtimin që të shkoja në ndeshje. Nëse do të rritur në Angli? Nëse do të isha rritur në Angli, Gjermani, Zvicër, rrethanat do të ishin ndryshe dhe do të kisha më shumë mundësi për të qenë më afër ekipeve më të mira në Europë pasi jashtë shtetit punojnë në akademi atje ku ti ke nevojë, pra rritesh ndryshe.
Granada-Barcelona? Unë kam qenë tifoz i Real Madrid kur isha i vogël, kisha si idhull Ronaldon. Dikur luaja Play Station kundër Barcelonës, ndërsa të dielën do të kem mundësinë që të luaj në fushë kundër Barcelonës. Kritikat? Janë pjesë e futbollit, por më shumë kritika kam nga njerëzit që jetojnë në Shqipëri. Ata janë gjithë kohës duke bërë kritika se mendojnë se lojtari që bën golin është lojtari më i mirë. Unë mendoj se ne kemi një grup të mirë, po ecim para, nuk ka rëndësi kush shënon, të gjithë jemi të lumtur. A janë të tepruara këto kritika? Unë mendoj se është pak si shumë pjesë e tepruar kjo pjesa e kritikave. Shqipëria po ecën mirë dhe akoma ka kritika, unë akoma nuk e kuptoj akoma se çfarë ndodh me këtë pakicë që ende kritikon”, tha Uzuni. /Sport Ekspres/