“Nuk patëm fat”, Ahmataj ia faturon fatit humbjen: Ne goditëm shtyllën dhe topi dilte jashtë, ata godisnin shyllën dhe topi futej brenda

Është mbyllur me dramë derbi i zjarrtë i kryeqytetit. Spektakli nuk ka munguar mbrëmjen e sotme, me skuadrat që kanë argëtuar tifozët e pranishëm në “Air Albania”, por edhe ata që e kanë ndjekur përmes ekranit të televizorit. Rastet kanë qenë të shumta për të dyja skuadrat, por goli i parë u shënua në minutën e 78 të takimit. Ishte Maget ai që e dërgoi topin në rrjetë me kokë, ndërsa më parë Tirana kishte goditur dy herë traversën.

Por bardheblutë nuk u dorëzuan dhe në minutën e 91-të shtangën Partizanin. Hasani lihet i lirë në zonë dhe prej aty shkund rrjetën për të kthyer sërish barazimin. Por festa zgjat vetëm pak sekonda. Mjafton një devijim i lehtë i Mensah që të shtyjë topin në rrjetë në minutën e 92-të. Festa ishte e  gjitha për të kuqtë, që i gëzohen kështu tre pikëve, të cilat në derbi shijojnë më shumë se në çdo ndeshje tjetër. Pas përfundimit të derbit, protagonistët dhanë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Ahmataj (Tirana): “Humbja e përqendrimit vendos në derbi. Nuk patëm fatin me vete. Goditëm tre herë traversën dhe topat shkonin jashtë. Ata goditën dy herë shtyllën dhe të dy topat e tyre shkuan brenda. Jam shumë i kënaqur me ndërrimet, por edhe me pjesën tjetër të skuadrës. Më pëlqeu që skuadra luftoi. Në futboll ndodh edhe që të humbësh”.

Rama (drejtori i Partizanit): “Më vjen mirë që pas dy fitoreve të Kombëtares “Air Albania” ishte e mbushur me tifozë. Kjo fitore është për djemtë, për stafin, është edhe për tifozët. Për trajnerin nuk është përcaktuar asgjë. Presidenti Demi është shumë i qetë në këtë drejtim. Mendoj që formula e kampionatit nuk na nxiton të bëjmë zgjedhje të gabuara. Jam i kënaqur, sepse fitorja është mjaft e rëndësishme. Jo vetëm fitorja, por edhe karakteri që treguam në fushë. Mendoj që ndeshja ishte përgatitur mirë. Tirana ka lojtarë me cilësi që në çdo moment mund të bëjnë dëm. Patën edhe ata rastet e tyre, ashtu si patëm edhe ne, që mund t’i kishim shfrytëzuar më mirë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *