Nuk ndodh vetëm në Shqipëri! Nuk i bëri asnjë përshtypje të mirë trajnerëve, Barcelona zyrtarizon lojtarin e ri vetëm se është…djali i Ronaldinho

Sulmuesi Joao Mendes është një lojtar i ri i Barcelonës. Ky 18-vjeçar nënshkroi sot kontratë me gjigantin katalanas dhe është djali i legjendës së futbollit Ronaldinho, i lindur në vitin 2005 në periudhën kur babai i tij mbante fanellën e Barçës.

Mendes erdhi vitin e kaluar pas katër viteve te Cruzeiro. Prej kohësh u spekulua se mund të bëhej lojtari i ri i Barcelonës dhe më në fund ëndrra u bë realitet. Ai nënshkroi sot një kontratë me drejtorin Joan Soler Ferre dhe do t’i bashkohet ekipit të të rinjve.

Kështu, ky adoleshent do të ketë shansin të ndërtojë një karrierë në klubin ku babai i tij i famshëm bëri mrekulli. Ndryshe nga Ronaldinho që luajti në disa pozicione të ndryshme sulmuese, Joao Mendes është një sulmues klasik dhe nënshkroi kontratën me kërkesë të presidentit Joan Laporta.

Thuhet se Joao nuk i ka lënë shumë përshtypje trajnerëve të Barcelonës në provë. Pauza njëvjeçare bëri të vetën, ndaj Laporta iu përgjigj se u zgjat periudha e provës. Në fund u vendos që Mendes të qëndrojë në klub. Sot u zyrtarizua dhe kjo është një tjetër dëshmi se kudo në botë është shumë e rëndësishme se kë ke pas vetes sepse realisht askush tjetër nuk do të merrte kontratë pa i bërë përshtypje trajnerëve.

Joao e filloi karrierën e tij në ekipin e të rinjve të Flamengos, më pas luajti për Vasco, Boavista dhe Cruzeiro. Kjo është përvoja e tij e parë evropiane. Ronaldinho bëri të ditur se tani do të vijë shumë më shpesh te Barcelona. Arsyet janë aty. “Me ardhjen e djalit tim në Barcelonë, tani do të vij edhe më shumë në klub dhe qytet”, është mesazhi i brazilianit legjendar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *