Një lojtar i adhuruar aq shumë nga tifozët, jo domosdoshmërisht kthehet në trajnerin e dëshiruar po në të njëjtën mënyrë. Milani e provoi Inzagin edhe në stol, por tifozët që dikur brohorisnin aq shumë nga tribuna për këtë sulmues, do të dilnin me parrullat që të jepte dorëheqjen dhe të shpëtonte historinë e bërë.
Por ky nuk do të ishte rasti i Gatuzos, që i fitoi zemrën të gjithëve me punën e bërë. Kuqezinjtë me të njëjtën skuadër që kishin edhe më parë, shpresuan për një vend në “Champions League” deri në ndeshjen e fundit. Gjithsesi Gatuzo do të largohej dhe do të merrte Napolin në të njëjtën situatë si kuqezinjtë, për të mos thënë edhe më keq, pasi kishte përçarje brenda klubit dhe zënka me presidentin De Laurentis.
Sigurisht që trajneri italian nuk mund të vinte me magjinë e menjëhershme dhe të ndryshonte tërësisht situatën. Por gjithmonë pas humbjeve të para që mori te Napoli, asnjëherë nuk e vuri përgjegjësinë mbi shpatullat e lojtarëve. “Është i gjithi faji im, përgjegjësitë më takojnë mua”. Kështu shprehej Gatuzo, që e dinte më së miri që nëse “topin” e kalonte te futbollistët, atëherë gjendja vetëm sa do të rëndohej dhe klubi do të merrte “tatpjetën”.
Pastaj ndeshja e fundit ndaj Juventusit, ku është thyer një trajneri si Sarri, ka rritur edhe njëherë kreditet e Gatuzos. Trajnerit që nuk i pëlqen rrjeti social si “Instagram” apo “Facebook”, nuk merret me to pasi e ka kohën e zënë duke stërvitur Napoli.
Ndryshe nga trajneri i mëparshëm, Ançelotin, që investon ende për të rritur figurën e tij edhe në këtë mënyrë, pasi profilet e tij janë shumë active në rrjetet sociale. Por Gatuzo lexon gjithçka kur flitet për mediat online dhe gazetat, për të mos i shpëtuar asgjë. Gjithsesi kur del në konferenca, asnjëherë nuk sulmon drejtpërsëdrejti gazetarët për lajmet e bëra, por jep vetëm të vërtetën në versionin e tij. Gjithashtu edhe kur mediat e shpikën një thumbim të tijin ndaj Karlo Ançelotit, përgjigja do të ishte plot elegancë: “E keni keqkuptuar, nuk e kam sulmuar kurrë. Ai është babai im i futbollit”. /Sport Ekspres/