Martin Erliç është një nga elementet që ka spikatur këtë sezon në Serinë A. Futbollisti kroat ishte shok skuadre me Rei Manajn në radhët e Specias, ndërsa këtë verë rikthehet te Sasuolo pas përfundimit të huazimit. Mbrojtësi ballkanas ka rrëfyer për “Sport Week“ jetën e tij. Megjithëse tashmë merr milionat me profesionin e tij, Erliç mbetet modest dhe me këmbë në tokë. Kroati tregon se ka lindur në një fermë mes pulave dhe derrave, ku ende kthehet sa herë përfundon kampionati për të ndihmuar prindërit e tij të punojnë tokën.
“Jam i 1998-s. Lu.fta në ish-Jugosllavi kishte përfunduar, mbetën vetëm rrënoja. Shtëpia e prindërve të mi ishte shkatërruar nga një bom.bë, kështu që ata u vendosën në stallën ku mbanin kafshët. Unë kam lindur atje, mes pulave dhe derrave. Ne qëndruam atje për dy ose tre vjet përpara se babai të rindërtonte shtëpinë tonë tullë më tullë. Vij nga një familje fermere. Nuk e di si ngrihet babai sot në 4 të mëngjesit për të punuar tokën dhe kthehet në perëndim të diellit.
Ai është shembulli më i madh që mund të shpresoj të kem. Çdo vit, kur mbaron kampionati, kthehem në fshatin tim, Tinj, ku jetojnë gjithsej 500 banorë dhe ndihmoj prindërit e mi në arat e fermës së tyre. Nuk më vjen turp për atë që bëj. Unë nuk jam tipi që sheh babain e tij duke punuar dhe shkon në plazh të marrë rreze. E di sa sakrifica ka bërë për të më dhënë para për të blerë këpucë futbolli kur fillova të luaja. Nuk dua të fshihem pas një maske që nuk më përket mua”, ka deklaruar Martin Erliç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/