Mbrëmja e sotme ishte e gjitha për t’u harruar për Silvinjon. Tifozët në tribuna ishin e vetmja bukuri për Shqipërinë. Kuqezinjtë janë mposhtur me shifrat 0-3 nga Kili në “Enio Tardini” të Parmës. Pas përfundimit të këtij takimi miqësor, protagonistët kanë dhënë përshtypjet e tyre të parë për mikrofonin e “Supersport”-it.
Silvinjo: “Në 25 minutat e parë nuk bëmë asgjë mirë. Na mungoi intenstiteti. Nuk më pëlqeu fare. Duhet të luajmë 90 minuta. Por pasi pësuam golin, ne hyjmë në lojë. Më acaroi fakti që pësuam golin e dytë dhe të tretë. Duhet të kishim reaguar, siç bëmë në Pragë dhe në Varshavë. Nuk ka titullarë fiks në ekipin tonë. Kush nuk vrapon, nuk vjen me ne. Kemi 23 lojtarë dhe të gjithë marrin minutat e tyre. Duhet të mësohemi me këtë nivel. Nuk është e lehtë të gjykosh një futbollist për 45 minuta apo për 90 minuta. Është shumë pak. Nuk ka një rrugë tjetër.
Tani kemi edhe Suedinë dhe koha është e pakët në dispozicion. Më pas duhet të përgatitemi për Europianin. Kili është një skuadër e një niveli të lartë. Ka histori të madhe, lojtarë me tekninë shumë të madhe, shumë agresivë dhe të shpejtë. Ata janë lojtarë që janë mësuar të luajnë në Botëror dhe kanë fituar Kupën e Amerikës. Na duhet të mësojmë të luajmë me nivel të lartë. Nuk mund të them që është test negativ për lojtarët e rinj. Duhet të rishikoj ndeshjen. Kur të kthehemi në Tiranë do të fillojmë të mendojmë për përgatitjet për Europianin”.
Gjimshiti: “Rezultati nuk është aq i vërtetë, sepse në minutat e fundit i pësuam ato gola. 1-0 besoj se ishte korrekte. Nuk na kanë ecur gjërat si duhet. Duhet të jetë një mësim. Kishim shumë kohë që nuk kishim humbur. Besoj se do na ndihmojë shumë kjo humbje, sidomos 3-0, sepse do të na kthejë me këmbë në tokë. Duhet të punojmë shumë. Kemi pasur një ecuri fantastike dhe sot doli e kundërta. Kishim shumë gabime në çdo repart. Gabuam në pasime të thjeshta. Por më mirë që ndodhi tani. Të bën mirë edhe ndonjë humbje, ndonjë mësim. Kur gabon mëson. Ky është mesazhi që dua t’ja jap vetes dhe skuadrës”.
Broja: “Ishim pak pa fat sot. Nuk kemi luajtur mirë. Killi ishte shumë më i fortë. Jemi të bashkuar si ekip. Kemi edhe dy muaj der isa të shkojmë në Europian. E dimë që këto miqësore nuk janë vetëm miqësore. E dimë që do jetë e vështirë, sepse këto ekipe kanë shkuar në Botëror dhe Europian. Unë për vete jam shumë i kënaqur sot, sepse tifozët më dhanë një gjë të bukur. Kisha një vit e gjysmë pa luajtur dhe u riktheva sot. Ishte shumë bukur. E di që kemi humbur sot, por gjërat e mëdha do të vijnë në verë. Unë luaj futboll pa presion, që i vogël kam luajtur kështu. Vij nga një dëmtim i gjatë. Skuadra më ka pritur shumë mirë. I njoh të gjithë çunat. Nuk kisha luajtur akoma me trajnerin e ri. Jam duke u rekuperuar më mirë dhe po stërvitem më shumë. Kuptohem me lojtarët dhe me trajnerit. Po shkoj më përpara me këtë dëmtim”.
Manaj: “Euforia e Europianin tani ka mbaruar, ekipi është kualifikuar. Tani duhet vetëm të stërvitemi. Nuk është çështje emocionesh, por s’na doli loja. Tani të shohim ndeshjen tjetër në Suedi. E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen. Stili i Kilit që na presonte lart na rrezikoi. Trajneri do të na tregojë videot ku kemi gabuar. Të përmirësohemi dhe t’i lëmë llafet. Asgjë tjetër”.