Fali Ramadani është menaxheri shqiptar me fuqinë më të madhe ndikuese në Europë. Agjensia e tij “Lian Sport” tregon qartësisht me emrat që ka si pjesë të saj fuqinë që ka në tregun e transferimeve. Ramadani është marrë me çështje të mëdha më parë si transferimi i Joviç te Reali i Madridit apo edhe zgjidhjen e kontratës së Sarrit te Chelsea, për të mbërritur te Juventusi.
Por ajo që është vënë re te Ramadani është përfshirja e tij me futbollistët serb, duke pushtuar tërësisht këtë treg. Një dekadë e gjysmë më parë, shqiptari nuk kishte asnjë fuqi ose ndikim në ngjarjet e futbollit evropian. Sidoqoftë, marrja nën lojtarët e tij të rinj serb i solli atij një karrierë të paparë menaxheriale. Ai erdhi tek ata përmes huazimeve në klube dhe hapi dyert e futbollit serb në Europë.
“Kurir” ka shkruar një artikull të gjatë për Fali Ramadanin duke treguar se fitimi i tij nga të gjithë lojtarët serb është kolosal, rreth 100 milion euro që janë arkëtuar. Disa kohë më parë menaxheri shqiptar ka shkuar edhe në paraburgim në Spanjë atje ku u ngrit një hetim duke u quajtur si një organizatë kriminale në futboll për kryerjen e disa transferimeve fiktive që kërkonin vetëm dëmtimin e buxheteve të klubeve dhe shtetit ku bënin pjesë, duke iu shmangur taksave.
Gjithashtu në artikullin e “Kurir” tregohet një moment i veçantë teksa një gazetar serb kërkoi t’i bënte foto Ramadanit në Turqi. “Nuk më ka bërë njeri foto deri më sot, nuk më bën dot as ti”, ishte përgjigja e menaxherit shqiptar duke e refuzuar dëshirën e gazetarit. Një e vërtetë kjo pasi nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në “Google” vihet re se është e pamundur që të gjesh një foto të Fali Ramadanit, që kërkohej të mbetej enigmë për mediat serbe. /Sport Ekspres/