Vllaznia është përballur me vështirësi të mëdha vitet e fundit. Vetëm dy sezone më parë do të binte për herë të parë nga elita e futbollit shqiptar, ndërsa këtë vit e gjen veten pranë zonës së ftohtë, megjithëse distanca me pjesën e sipërme të tabelës nuk është e madhe. Por një tjetër problematikë e klubit shkodran qendron edhe te integrimi i lojtarëve të akademisë. Nëse në të shkuarën Vllaznia do të njihej për shkollën e tyre të futbollit, tashmë të rinjtë e klubit janë në kthyer në vlerë e shtuar e kundërshtarëve në Superiore.
Këtë madje e thekson edhe ish-drejtori i Akademisë së Vllanzisë, Alban Hasani. Ky i fundit, me anë të një postimi në rrjetin e tij social përmend rastin e Belajd Pusi. Futbollisti i ri është prodhim i të rinjve të klubit kuqeblu, por mungesa e hapësirave në ekipin e parë sollën edhe largimin e tij drejt Skënderbeut, ku ka fituar edhe pozicionin e titullarit.
“Belajd Pusi, titullar në ekipin më të mirë në vitet e fundit, disfata tjetër e Vllaznisë për mbajtjen e djemve të saj”, ka shkruar Alban Hasani. Ndërsa kujtojmë se Pusi është rasti më i fundit, pasi të tjerë lojtarë të talentuar kanë lënë Vllazninë për t’iu bashkuar klubeve të tjera. Emra si Qardaku, që luan me surprizën e këtij viti Bylisin dhe gjithashtu pjesë e U-21 të Shqipërisë, apo Uejd Hoxha janë një pjesë e atyre që kanë pësuar fatin e Pusit./Sport Ekspres/