Teuta ka arritur që të fitojë pa shumë probleme ndaj Egnatias në shifrat 3-1. Një triumf ky i durrsakëve që i afron më tepër me Europën, duke marrë parasysh ngjeshjen e renditjes dhe njëkohësisht hapat fals që po bëjnë të gjitha skuadrat e tjera. Beqja do të shënonte me kokë në minutën e 9 ndërsa Daci dyfishoi shifrat në të 13. Peposhi arriti të trefishonte në të 60, ndërsa në fund Egnatia shënoi golin e nderit.
Nga ana tjetër Skënderbeu ishte pranë fitores së madhe me Dinamon falë golit të Elvi Berishës në minutën e 82. Kryeqytetasit ishin të rënë matematikisht në Kategorinë e Parë, por në minutën e 100 u akordua një penallti me VAR për Dinamon. Lilaj u tregua gjakftohtë duke shënuar, për të barazuar rezultatin në 1-1. Me këtë rezultat, Dinamo dhe Skënderbeu mbajnë të njëjtën kuotë pikësh dhe 9 pikë larg Egnatias, kur kanë mbetur 3 ndeshje nga fundi. Por korçarët janë të rënë zyrtarisht nga Superiorja për shkakun e bilancit të keq me Egnatian, ndërsa Dinamo ka ende një fije shprese. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Vanoli: “Nuk kam asgjë për t’i thënë lojtarëve, nuk mundëm të konkretizonim dhe kishim shumë raste. Ky është limiti i kësaj skuadre, prodhon por nuk finalizon. Nuk kam asgjë për t’i thënë sulmuesve se po japin maksimumin, por më vjen keq që nuk mundën të fitonim një ndeshje të tillë të cilën edhe mund ta humbnim. Nuk mbaj mend një pritje të Simonit, kanë ngelur edhe tre ndeshje dhe vazhdojmë përpjekjet. Jemi ende gjallë. Nuk më pëlqen të gjykoj në fund të ndeshjes, unë flas për paraqitjen dhe kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Prej momentit kur unë jam këtu kemi luajtur të barabartë me të gjithë, na mungon vetëm goli. Me Tiranën në ndeshjen e parë gabuam një penallti në fund. Për ne është e rëndësishme të mbyllim sa më mirë kampionatin, më pas do të vlerësohet gjithçka me klubin. Unë kam filozofinë time dhe mendoj që për të fituar ndeshjet duhet të kemi në zotërim topin dhe të jemi ofensiv. Por, edhe fusha nuk ishte mirë, por një futbollist duhet të luajë në të gjitha terrenet”.
Ramadani: “Ndryshuam pjesën e dytë, ishte një ndeshja pa shpirt dhe pa pikë ndërgjegjie nga futbollistët. Duhet të luajnë për veten dhe për të mbajtur ekipin në formë. Nëse mendojmë se të kalojnë këto ndeshje, në play-off duhet të jemi të përqëndruar dhe ky tolerim nuk më pëlqen. Duhet të kemi grintë dhe motivim. Nuk e kam parë ekipin asnjëherë në këtë gjendje. Kemi të gjithë faj, mbase nuk e motivuam si duhet ekipin. Nga ndeshja me Kastriotin që humbëm, ekipi nuk ka dhënë asgjë. Kur janë pritshmëritë më të mëdha, dështimi vjen edhe më i madh. Kemi bërë gabime edhe në ndeshjet e tjera”.
Renato Arapi: “Vinim pas disa ndeshjeve të mirë, më ngroh fakti që kemi vazhdimësi në lojë dhe rezultate. Nuk ishim për mbijetesë, do i bëjmë hyzmetin tre ndeshjeve të mbetura. Pse të mos pretendojmë edhe për vendin e katërt. E nisëm ndeshjen shumë mirë. Ekipi ka treguar vetëbesim dhe vazhdimësi, në lojë dhe rezultatet. Kemi gjetur stabilitet edhe për mënyrën e lojës. Po shohim edhe për lart, kështu u motivuam. Diferenca është gjashtë 6 pikë, çdo gjë është e hapur. Pjesa më e madhe e lojtarëve besoj se do të qëndrojë edhe sezonin tjetër. Na vjen keq për golin e pësuar, kemi pësuar shumë gola këtë sezon. Unë u fokusova te pjesa mbrapa kur erdha te Teuta. Një gjë e tillë kërkon kohë, por jemi munduar të përmirësojmë edhe sulmin, kemi luajtur me dy sulmues. Ka akoma vend për të përmirësuar, sidomos sa i përket përqendrimit deri në fund të ndeshjes. Vllaznia-Kukësi? E mira do ishte një barazim, por mbetemi në lojë edhe nëse fiton ndonjëra. Kanë ndeshje me Tiranën, shpresoj që Tirana të tregohet profesioniste deri në fund. Pengu? Ndeshja me Tiranën. Edhe me Vllazninë luajtëm mirë, por nuk krijuam shumë raste për gol. Kishim mundësi të fitonim, sidomos në minutat e fundit. Por, futbolli është i tillë, i njeh gjithë rezultatet”.