Orges Shehi ka folur në një lidhje direkte nga Turqia për emisionin “Fair Play“ në “Syri TV”. Trajneri i Tiranës është ndalur edhe te tema e merkatos së bardhebluve. Ai shprehet se ky është viti kur klubi kryeqytetas nuk ka pësuar ndryshime të mëdha, pasi është ruajtur boshti i skuadrës. Shehi ka theksuar se afrimet e bëra janë lojtarë të cilët ai i njeh mirë dhe jo produkt i videove në “Youtube“, që shpesh herë të mashtrojnë për cilësinë e futbollistëve.
“Me sa kam memorie, ose me sa kam biseduar me stafin, ky është viti i parë që Tirana nuk pëson ndryshime të mëdhaja. Po ta kapësh në formacion, ne kemi vetëm dy ndryshime. Pra, Aleksin dhe Hasanin, që është lojtar që shumë mirë mund të ingranohet. Pjesa tjetër pastaj janë lojtarë që kanë qenë vjet dhe kjo është kryesorja. Skuadra nuk duhet të ketë tranzicion të madh, të ikin 7 e të vijnë 6. Sigurisht që edhe ne kemi nevojë për merkato. Po punojmë. Kemi marrë lojtarë me cilësi shumë të mira që ne i njohim në kampionatin shqiptar. Në idenë time, në filozofinë time, jam totalisht kundër lojtarëve me “Youtube”, lojtarë që i sheh në video dhe kur vijnë këtu thua: “Ishte një tjetër, nuk ishte ky ai që pashë unë”.
Kemi marrë lojtarë nga tregu jonë, që ia njohim mirë cilësitë, ia njohim mirë karakterin. Karakteri i tyre do të shkrihet me grupin, sepse është i rëndësishëm që grupi të jetë në harmoni të plotë dhe për këtë nuk kemi vuajtur sezonin e kaluar. Aleksi dhe Hila janë lojtarë që e kanë provuar të dalin edhe kampion. Pra, janë lojtarë me petkun e kampionit. Florenti është lojtar që vjen nga një ligë shumë bukur, një lojtar me cilësi. Ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses. Mundohemi, edhe në goditjet e tjera që do të bëjmë, nuk duhet të nxitohemi, sepse si i thonë “Me vënë vetullat, nxjerr sytë”.
Do mundohemi që lojtarët që do të vijnë të jenë të goditur. Mos të mbushim organikën kot me lojtarë që pastaj na bëhen të dëmshëm për ecurinë dhe nuk janë të nevojshëm për funksionimin e grupit, por edhe për cilësitë. Hoxhallari dihet që është një mungesë e madhe, kapiteni i skuadrës. Por ka bërë një transfertë jashtë Shqipërisë, gjë të cilën personalisht do ia uroja të gjithë futbollistëve, pavarësisht se ne vuajmë për të gjetur zëvendësuesin e tij. Toli ende nuk po zgjidhet. Shpresojmë që në vijim mund të ketë një rikthim të tij, sepse me sa di unë është në kontratë me ne.
Ne jemi të kënaqur për pjesën e sulmit. Lojtarë cilësor si Seferit, Xhixhës dhe Devid, mos të harrojmë Devidin që këtë vit mendoj se do të jetë një lojtar që do të na ndihmojë shumë dhe do të bëjë diferencën. Sulmi fillon nga portieri dhe mbaron te sulmuesi dhe e anasjellta. Mbrojtja fillon nga sulmuesi dhe mbaron te portieri. Por më e rëndësishmja është lojtarët e stolit. Ata janë ata që e vënë në presion skuadrën. Janë ata që japin atë shkëndijën që: “Jemi edhe ne këtu““, është shprehur Orges Shehi./Sport Ekspres/