Kryeqyteti është veshur i kuq. Partizani ka mposhtur Tiranën 1-0, në një përballje që nuk mungoi loja e bukur dhe rastet për gol. Ndeshja u vendos që në minutën e 4-t, kur Xhuliano Skuka tundi rrjetën e Tiranës. Partizani udhëheq tabelën e klasifikimit, duke u shkëputur 4 pikë larg Tiranës. Pas përfundimit të derbit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport”.
Hadroj (Partizani): “Xhixha është një nga lojtarët më të mirë në Superiore. Por Xhixhën e njoh, sepse kam luajtur për 4 vite me të. Por edhe trajneri na mësoi shumë mirë si ta mbrojmë. Si ekip nuk kemi pasur asnjëherë presion. Gjithmonë kemi tentuar për të marrë më të mirën. Nuk kemi frikë asnjë. Si çdo futbollist, ëndrra e parë është të luajë në nivelin më të lartë në Shqipëri. Disa i kapin shpejt, disa më vonë etapat. Unë fatmirësisht i kam kaluar shumë shpejt këto etapa. Si çdo futbollist tjetër, ëndrra ime është të luaj jashtë Shqipërisë”.
Skuka (Partizani): “Ndjesi shumë, shumë e lumtur. U emocionova shumë pas bilbilit final. Por duhet të shënonim më shumë, mos të rrinim në stress deri në momentin final. Interesimet nga Italia? Nuk jam marrë me asnjë lloj lajmi. Jam i fokusuar te ndeshjet, nuk merrem unë me ato. Duhet ta mbyllim ndeshjen për ato pak pakujdesi. Edhe Cara nuk është se e bëri kastile për të mos dhënë topin. Edhe unë kam pasur raste që mund t’i jepja topin. Nuk jam i mërzitur me çunat, por duhet të mbyllim ndeshjen më shpejt“.
Shehi (Tirana): “Ne, pavarësisht ndryshimeve, sepse jemi edhe të kushtëzuar ngaqë nuk kemi Toshevskin dhe Behiratçen. Ne futëm veten në presion. Në 10 minuta i dhamë mundësinë kundërshtarit shumë herë. Derbi vendoset nga episodet. Nuk mendoj që është thelbësore ndryshimi. Dje kemi marrë sinjal që Behiratçe nuk është i gatshëm. Na futi pak në pështjellim dhe kërkuam të luanim me Lulajn nga e djathta. Kur e fut veten në presion dhe kur i jep në minutat e para raste kundërshtarit, ndëshkohesh. Veliu ka bërë ndeshje të mirë. E përgëzoj. Na dha frymëmarrje në nisjen e lojës nga këmbët e tij. Kur na mungon Toshevski, na fut pak në dilemë. Iseni nuk është përshtatur ende me skuadrën. Mungon ajo dëshira për të qenë pjesë e skuadrës. Mungesa e lojtarit që na jep besim në krahun e djathtë na sjell pështjellim. Është kampionat i gjatë, akoma nuk ka mbaruar gjysma. Pas këtij pushimi do të kërkojmë të rikthehemi aty ku duam ne. Është edhe një gjë tjetër, loja u ndërpre shpesh. Sa më shpesh të ndërpritet, humbet ritmi”.
Kolela (Partizani): “Në të gjitha ndeshjet ka edhe gjëra pozitive, edhe gjëra negative. Merkatoja? Janë vlerësime që do i bëjmë me qetësi. Nuk është momenti që të flasim tani. Do të ulemi me drejtuesit dhe do të vendosim për pikat ku do të përforcohemi. Nga kjo ndeshje kam kuptuar që duhet të kemi më shumë eksperiencë. I kemi menaxhuar më mirë emocionet e lojtarëve se sa në derbin e kaluar. Kjo mendoj që për lojtarët profesionistë është një gjë shumë e madhe. Diçka negative është që nuk arrijmë të menaxhojmë minutat e lojës pasi kalojmë në avantazh. Por në këtë ndeshje menaxhuam mjaft mirë në fazën mbrojtëse dhe për minuta të tëra arritëm të mos pësojmë gol. Sipas meje, shumë situata të tjera duhet të menaxhohen me qetësi dhe personalitet. Nota ime për skuadrën? Do t’i jam një notë të mesme, 6.5. ”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/