Partizani ka mposhtur Bylisin me rezultatin 2-1 në ndeshjen e fundit të javës së 30 të “Abissnet Superiore”-s. Të kuqtë ruajnë distancën prej pesë pikësh me Tiranën, duke mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Rrapaj zhbllokoi ndeshjen për kryeqytetasit, ndërsa Eskerdinja barazoi përkohëshisht në pjesën e parë. Më pas, ishte Da Silva ai që në minutën e 55 i dha fitoren Partizanit pas një ekzekutimi të saktë të 11 metërshit. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.
Shensoi (Bylisi): “Nuk jam që prej 10 vitesh në Shqipëri. Nuk e di çfarë ka ndodhur më herët me Partizanin. Edhe para meje, dy humbje ka pasur Bylisi. Por me mua, herën e kaluar ishte një ndeshje për kritikë. Në emër të futbollit, nuk bëmë asgjë në ndeshjen e parë. I pranoj kritikat. Por tani po tregojmë që jemi në formë. Kundër Vllaznisë dhe Tiranës ishim shumë afër fitores. U përpoqëm që të përmirësojmë traditën e keqe që kemi me Partizanin. Kemi mundur t’i bënim edhe një gol Partizanit. Nuk u përshtatëm mirë me fushën sintetike, na u dëmtua një lojtar. M’u ankuan për fushën. Vendosi VAR-i. Edhe për penalltinë e parë, ishte e dyshimtë. Me atë që dhamë pjesën e parë meritonim ta thyenim traditën, të paktën të merrnim një pikë. Në pjesën e parë luajtëm mirë. S’kam çfarë bëj më tepër kundër Partizanit. Goditëm shtyllën, shënuam gol, patëm raste për të shënuar. Në pjesën e dytë m’u ankuan lojtarët për fushën”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/