Pas Martin Nespor, edhe Shend Kelmendi largohet nga Skënderbeu dhe është një tjetër dështim në merkato për klubin korçar, por të paktën Kelmendi nuk ishte lojtar me pagë të frikshme si Nespor.
Ish-sulmuesi i Prishtinës kaloi në verë te Skënderbeu dhe u konsiderua një goditje e rëndësishme edhe për të ardhmen, por 23-vjeçari nuk gjeti fare hapësirë në Superiore, luajti vetëm 46 minuta në Europa League dhe shënoi 3 gola në 4 ndeshje kupe.
Tani Kelmendi kthehet te Trepça ’89, klub që ka marrëdhënie shumë të mira me Skënderbeun dhe ka përfituar të marrë një lojtar që në Kosovë vlerësohet shumë. Ish-futbollisti i Prishtinës është prezantuar nga kryetari i klubit Abedin Zeka.