“Nuk ka një të mesme, duhet të fitojmë me Shqipërinë”, mbrojtësi polak zotohet pas humbjes me Çekinë: Nuk do ketë një ndeshje të tillë të dytë

Polonia e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme fushatën kualifikuese për Euro 24. Vetëm tre minuta lojë dhe polakët ishin duke humbur me shifrat 0-2 në Pragë. Çekia fitoi me rezultatin 3-1, duke befasuar kështu Kombëtaren e drejtuar nga Fernando Santosi. Pas përfundimit të ndeshjes, Jan Bednareku ka folur për “TVP Sport”, ku fillmisht i kërkon falje tifozëve për këtë paraqitje. Më tej, mbrojtësi polak shprehet se tashmë duhet me patjetër të triumfojnë ndaj Shqipërisë.

“Është e vështirë të thuash diçka pas një fillimi të tillë. Është e papranueshme. Ne, si futbollistë të një niveli të tillë, nuk mund ta përballojmë një nisje të tillë. Ishte fatal, një shok për ekipin tonë. E vetmja gjë e përshtatshme është t’i kërkojmë falje tifozëve dhe t’i themi disa gjëra të rëndësishme njëri-tjetrit në dhomën e zhveshjes. Duhet ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, të jemi të sinqertë dhe të mos gënjejmë për realitetin.

Ishte një ndeshje shumë e keqe për ne dhe mund të bëjmë vetëm më mirë. Nuk do të luajmë një ndeshje të tillë për herë të dytë. Tani kemi një ndeshje shumë të rëndësishme të hënën dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta fituar. Nuk ka një të mesme, duhet ta fitojmë, kjo është gjëja më e rëndësishme për ne. Tani duhet të ngjitemi në tabelë”, ka deklaruar Jan Bednareku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *