Dy ditë më vonë Kombëtarja do të nisë rrugëtimin në Ligën e Kombeve. Përballë do të gjejë fillimisht Bjellorusinë, ndërsa më pas do të presë në Shqipëri Lituaninë. Objektivi këtë vit është vendi i parë në grup, duke pasur parasysh edhe kundërshtarët me të cilët do të duhet të ndeshemi. I këtij mendimi është edhe Shpëtim Duro.
Ky i fundit ka dhënë një prononcim për “Report TV”, ku thekson se këtë herë nuk duhet të jetë justifikime për Edi Rejën, pasi kuqezinjtë janë më superiorë se rivalët e grupit. Më tej Duro pranon se ka trajnerë shumë të mirë në Shqipëri, por ka shumë elemente që nuk i favorizojnë për të marrë drejtimin e Kombëtares.
“Kemi shumë futbollista që luan në Seria A. Jemi ne superior ndaj Bjellorusisë, Kazakistanit dhe Lituanisë. Kundërshtari më i fortë është Bjellorusia, është edhe ndeshja e parë, por luhet edhe në transfertë. Nëse arrijmë një fitore ndaj këtij kundërhstari skuadra jonë me 99% do jetë e para në grup.
Nuk ka më justifikim, pas arritjes së 2016, pasi piaca është e lartë. Çdo trajner që do punonte mbas këtij viti do ta kishte vështirë me ekipin tonë kombëtar sepse objektivat janë madhorë. Kështu përfundoj Panucci, por Reja është trajner me mjaft përvojë, eksperiencë, por ka një avantazh pasi ka lojtarë shumë më cilësorë.
Trajner shqiptar në krye të Kombëtares? Kemi trajnerë shumë të mirë në Shqipëri, me përvojë, që mund ta bëjnë mirë punën e tyre, por ka shumë elementë në disfavor të trajnerëve shqiptarë për vetë ambientin që ne jetojmë”, ka deklaruar Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/