Nuk ka më gola në fund dhe të nxjerrë jashtë loje edhe stadiume si Camp Nou, ja se çfarë i ka ndryshuar Silvinjo kësaj SHQIPËRIE

Nga Ardi Fejzo

Kombëtarja Shqiptare në këto momente po kalon një nga periudhat më të suksesshme të historisë së saj. Kuqezinjtë ndodhen aktualisht në vendin e parë në grup dhe nën drejtimin e Sylvinjos janë kthyer në një ekip që mund të përballet si i barabartë kundrejt çdo lloj kundërshtari. Barazimi në transfertën Çeke dhe fitorja në “Air Albania” kundër Polonisë e treguan më së miri forcën e këtij ekipi.

Prej 9 janarit të këtij viti Kombëtarja Shqiptare hapi një kapitull të ri në historinë e saj 93 vjeçare. Në krye të pankinës u emërua braziliani Sylvinjo i cili në këto 9 muaj ka arritur të ndryshojë rrjedhën e gjërave dhe ti japë ekipit një marsh tjetër. Po, çfarë ndryshimesh konkrete ka bërë Sylvinjo në këto eleminatore?

1) Futboll tërheqës dhe argëtues

Futbolli luhet për tifozët, dhe si rrjedhojë duhet të jetë i aftë të tërheqë pas vetes turmat. Me ardhjen e Sylvinjo në krye të ekipit Shqipëria po shfaq një fytyrë tjetër. Ekipi dhe lojtarët janë në një harmoni të plotë, zhvillojnë futboll të bukur dhe tërheqës si dhe luajmë të barabartë përballë ekipeve elitare. Për ta bërë të prekshëm këtë realitet nuk ka qenë aspak e lehtë dhe trajneri ka guxuar me emrat të cilët i ka besuar skemat e tij. Fillimi ishte i vështirë. Është i pari trajner i cili nuk e ka mundësinë të zhvillojë një ndeshje miqësore. Koha nuk ishte në favorin e tij. Detyrohet që debutimin ta bëj pa kryer asnjë test miqësor dhe për ironi të fatit ishte ndeshja më e vështirë në letër, transferta polake që vinte si kokë grupi. Pavarësisht rezultatit në Poloni, të gjithë e ndjenë erën e ndryshimit. Kombëtarja humbi, por loja e treguar ishte për tu përshëndetur. Sylvinjo mori përsipër humbjen. Justifikimi nuk është në natyrën e tij.

2) Disiplina

Që me ardhjen e tij Sylvinjo ka vendosur një disiplinë të hekurt për të gjithë lojtarët dhe stafin drejtues. Prezenca e tij ndihet kudo në ekip dhe e gjithë kjo ka sjellë edhe frytet e veta. E filloi që nga vetja, duke u zotuar se së bashku me ndihmësin e tij Zabaleten do të vendosej dhe do të punonte në Tiranë për të qenë sa më afër ambientit të punës. Një gjë e rrallë kjo, për trajnerët që kanë drejtuar Shqipërinë. E vazhdoi më pas edhe me lojtarët ku ndaloi takimin e tyre me tifozet. Përqëndrimi është i shenjtë për të. Tregoi që në fillim që vetëm me disiplinë objektivi “Gjermani 2024” mund të bëhej realitet. Koha po i jep të drejtë. Lojtarët e ekipit ndihen më mirë së bashku, ndajnë më shumë kohë me njëri-tjetrin, madje Sylvinjo kujdeset edhe për ti telefonuar lojtarët në momentet kur ata janë të impenjuar me ekipet e tyre respektive.

3) Personaliteti

Kombëtarja e Sylvinjos ka treguar personalitet në fushë. Lojtarët janë të motivuar, japin maksimumin në fushë dhe rezultatet i kanë shpërblyer ashtu siç duhet. Luajmë fortë edhe ndaj kombëtareve të mëdha të cilat shpesh herë ndihen në vështirësi nga loja jone. Sylvinjo ka mbyllur në këto eleminatore edhe një plagë të së kaluarës, atë të pësimit të golave në minutat e fundit. Shqipëria edhe në paraqitjet e saj më të mira gabonte në 10-15 minutat e fundit dhe shumë faktorë ndikonin në të. Mungesa e eksperiencës nga ana e lojtarëve, pergatitja fizike dhe vetëbesimi i ulët bëri që minutat e fundit të ktheheshin në një makth të vërtet. Por, me ardhjen e Sylvinjos ekipi ka treguar siguri përgjatë gjithë 90 minutave, personalitet dhe disiplinë e cila është për tu përshëndetur. Trajneri e ka kthyer kombëtaren në një ekip kompakt dhe e gjithë kjo është meritë e tij.

4) Tifozët

Sylvinjo ka rikthyer tifozët e kombëtares në shkallët e stadiumit. Kohët e fundit loja jo e mirë dhe rezultat kishin bërë që interesi për kombëtaren të ishte i vakët. Por, menjëherë pas ndeshjes në Poloni, tifozët kuq e zinj u bashkuan të gjithë për të mbështetur kombëtaren dhe trajnerin e ri në rrugetimin për “Euro 2024”. E vertetuan ndeshjet me Moldavinë dhe Poloninë. Dy “sold out” në “Air Albania”, dhe “sold out” i çmendur me Republikën Çeke. Sa keq që kapaciteti është vetëm 21.000. Por në të tilla raste kur shqiptarët bashkohen as “Camp Nou” dhe “Maracana” nuk do të hynin në punë. Të gjithë janë aty me shpresën se verën e ardhshme planet për pushimet verore do te jenë disi më ndryshe. Tashmë nuk është vetëm një ëndërr, Sylvinjo ju fton të bëheni gati. Gjermania nuk është edhe aq larg… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *