Bajram Jashanica nuk ka marrë lajme të mira nga në lidhje me apelimin kundër dënimit për doping, pasi dënimi 2-vjeçar është konfirmuar zyrtarisht. Mbrojtësi i Skënderbeut kishte rezultuar pozitiv në kontrollet antidoping dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. 27-vjeçari nga Prishtina, i cili ka luajtur 145 ndeshje me fanellën e klubit korçar, është zbuluar pozitiv pas kontrolleve të kryera në shtator, pas ndeshjes Skënderbeu-Jang Bojs në Europa League.
SUBSTANCA Sipas rregullores në kupat e Europës, klubet janë të informuar se pas çdo takimi dy lojtarë me short të rastësishëm i nënshtrohen testit antidoping. Në dy pjesëmarrje në fazën e grupeve, Skënderbeu nuk kishte pasur asnjë rast pozitiv, deri tani, sepse nga UEFA ka ardhur njoftimi se Jashanica ka pasur një masë jashtë normales të substancës Prednisolut, ose Prednisolon. Bëhet fjalë për një glukokortikoid (steroid) që jepet vetëm me recetën e mjekut. Është një substancë që përdoret për të ndihmuar në shërimin e inflamacioneve në zona të ndryshme të trupit, ndërkohë që përdoret edhe për kurimin e problemeve të ndryshme, si enjtja e goditjeve apo plagëve, alergji serioze, asmë, probleme me gjakun apo palcën kurrizore, probleme me shikimin, probleme lëkure e të tjera. Problemi është se kjo substancë është në listën e medikamenteve të ndaluara nga ËADA, Agjencia Botërore Anti-Doping, ndaj pezullimi ishte i paevitueshëm.
DËNIMI DHE E ARDHMJA – Duke qenë se ka rezultuar pozitiv më 28 shtator 2017, tashmë Jashanica do të mungojë deri në fund të vitit 2019, që është një lajm i tmerrshëm për të dhe për Skënderbeun. Jashanica është në kulmin e karrierës dhe në moshën 27-vjeçare ishte bërë një titullar fiks edhe te Kosova, ku ka luajtur 4 ndeshje nga minuta e parë vjeshtën e shkuar. Një mungesë dyvjeçare do të thotë që mbrojtësit i prishet karriera, sepse gjatë vitit të fundit ka qenë shpesh pranë shitjes në kampionate të rëndësishëm, por asgjë nuk është arritur, për faktin se Skënderbeu ka kërkuar gjithnjë shifra të rëndësishme, duke nisur nga 500 mijë euro. Tashmë gjithçka merr fund dhe Jashanica nuk ka mundur të përfitojë as të paktën 6 muaj ulje dënimi.