“Nuk jemi atje ku mendonim në fillim të kampionatit”, Marku: Flamurtari ka qenë korrekt me pagat, trajneri italian na përmirësoi taktikisht

Herald Marku ishte pjesë e emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN Albania” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Mesfushori i Flamurtarit është shprehur se ndihet i kënaqur me golin e shënuar ditën e sotme, pasi erdhi në momentin e duhur për ekipin. Marku ka thënë se tashmë kuqezinjtë po stabilizohen, teksa deri më tani ekipi nuk ka qenë në vendin ku mendohej përpara fillimit të kampionatit.

“Jam shumë i kënaqur. Nga ana e realizimit ishte një gol shumë i veçantë. Erdhi në një moment të duhur, sepse ekipi kishte nevojë. Ka qenë një atmosferë jo fort e mirë, sepse kemi pasur shumë oshilacione gjatë kampionatit. Por tani çdo gjë po shkon mirë. Duket sikur ekipi po stabilizohet me një farë qetësie, me një farë ritmi. U bënë disa ndeshje që po luaj në pozicionin e numrit 6. Nuk është pozicioni im, sepse mua më pëlqen të luaj pak më përpara. Por është një pozicion që mund ta bëj dhe jam ambientuar mirë.

Si një trajner italian, gjëja e parë që solli te ekipi jonë ishte një ndryshim shumë i madh dhe i dukshëm i vendosjes taktike të ekipit në fushë. Na ka ndihmuar shumë. E dinë të gjithë lojtarët ku duhet të jenë, ku duhet të vrapojnë me topin. Nuk jemi në pozicionin ku në fillim donim të ishim. Kur e kemi nisur kampionatin nuk e mendonim kështu. Për pjesën e pagave, çdo gjë ka qenë korrekte. Por nuk mendoj që paga duhet të lidhet me pozicionin e ekipit. A jam paguar më mirë në Vlorë se në ekipet e tjera? Jam i kënaqur.”, ka thënë Herald Marku./Sport Ekspres/