Xhorxho Kielini është padyshim një nga mbrojtësit më të mirë të futbollit dhe përgjatë viteve është kthyer në një nga ata emra që sulmuesit do të dëshironin ti shmangnin. Në një intervistë për “So Foot”, lojtari italian ka treguar emocionet e lojës nga perspektiva e një mbrojtësi. Sipas Kielinit adrenalina e bllokimit të goditjeve apo shmangia e golit është shumë herë më e lartë se vetë shënimi i tij. Gjithashtu kapiteni i Juventusit tregon se armiku më i madh për të në fushë është Zllatan Ibrahimoviç, ndërsa tregon se nuk i ka cilësitë e kampionit të Ramosit apo Van Dajkut.
Kënaqësia e një mbrojtësi
“Unë jam shumë i kënaqur kur fitoj një duel. Kur arrij të bllokoj një goditje të rrezikshme ose të shmang një gol, unë kam një sulm adrenaline. Është një gëzim ndryshe nga shënimi, nuk është i krahasueshëm, por ato ruhen në lojëra të rëndësishme. Unë ende i kam brenda vetes. Për shembull, goli im i shënuar kundër Barcelonës në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dha shumë më pak kënaqësi se ndalimin e golit të Herri Kejn në minutën e 89-të. Kjo ndeshje kundër Totenhemit (në 2018) ishte shumë afër. Pas kësaj ishte edhe përqafimi me Xhixhi Bufon dhe Barzali, një moment i fortë”.
Ibrahimoviç
“Armiku im më i mirë. Unë e respektoj shumë Zlatanin, ne e respektojmë njëri-tjetrin. Ishim shokë skuadre në sezonin tim të parë në Juve. Asnjëherë nuk kisha frikë të përballesha me të, kurrë nuk bëra një hap prapa kundrejt tij. Ai kishte një forcë fizike të jashtëzakonshme. Pastaj ai u bë “armiku absolut”, kur u transferua në Inter, pastaj thjesht “kundërshtar” te Milani ose në ekipin kombëtar. Armiku më i mirë i karrierës sime është Ibrahimovic, pa dyshim”.
Ramos, Van Dajk
“Për të fituar duele me sulmues duhet të jesh pesimist dhe të parashikosh më të keqen. Është çmimi i rezervuar për lojtarë “normalë” si unë apo Barzali. Vëmendje, Andrea ishte një mbrojtës shumë i mirë, por ne nuk kemi cilësitë e kampionit të Serxho Ramosit ose Van Dajkut. Unë kam një lloj dyzimi të personalitetit. Jam mjaft i ndrojtur dhe i rezervuar, por në fushë jam i aftë për gjithçka për të fituar”, ka thënë Xhorxho Kielini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/