Klaus Gjasula është shembulli i dashurisë dhe besnikërisë për ngjyrat kuqezi. Mesfushori ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjeve që do të zhvillojë Shqipëria kundër Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos. Gjasula u shpreh se u largua nga Hamburgu dhe shkoi te Darmstad për të fituar më shumë minuta, në mënyrë që të mos humbiste ftesën e Kombëtares.
“Ndihem gjithmonë gati për Kombëtaren. Për mua është e rëndësishme që të kthehem në fushë, më kanë munguar minutat. Për këtë arsye kam shkuar në një klub pak më të vogël në Gjermani, që të luaj dhe të jem gati për Kombëtaren. Ne po rritemi bashkë te Shqipëria. Po fituam ndeshjet, fitohet besimi.
Ne kemi mesfushorë të mirë që kanë kualitete. Ndeshja nuk humbet në mbrojtje, mesfushë apo sulm. Jemi në fushë vetëm për një qëllim, të gjithë. E dimë se kush është Polonia, pavarësisht se nuk kanë luajtur Europian të mirë. Kemi respekt për kundërshtarin, por frikë asnjëherë. Unë lëviza nga Hamburgu te Darmstad që të luaja dhe të thirresha nga Kombëtarja pasi ndryshe nuk do të vinte ftesa”, tha Klaus Gjasula. /Sport Ekspres/