“Nuk i ruajta lojtarët për derbin”, Shehi nuk i beson tabelës së klasifikimit: As Partizani e as Teuta nuk kanë dalë nga gara e titullit

Është mbyllur sfida e mbrëmjes së sotme mes Tiranës dhe Teutës. As kampionët në fuqi nuk kanë arritur ti bëjnë dot ballë bardhebluve, të cilët kanë fituar me rezultatin 2-1. Goli i parë erdhi falë një goditjeje të mrekullueshme nga Enur Totre nga jashtë zone, duke nisur kështu festën e kryeqytetasve. Teuta shpërdoroi një rast të pastër me Gjorgjiev në pjesën e parë, ndërsa fraksioni i parë i lojës u mbyll mes ankthit dhe pritjes. Aribtri akordon një 11 metërsh në favor të Seferit, por më pas vendimi u ndryshua pas ndërhyrjes së VAR-it.

Ndërkohë në pjesën e dytë Tirana tund përsëri rrjetën e Teutës. Këtë herë autori i golit ishte pikërisht Taulant Seferi, i cili pas pasimit perfekt të Xhixhës e kishte të lehtë që në minutën e 67 të shtynte topin në rrjetë. Teuta nuk dorëzohet dhe provon deri në fund të ndryshojë fatin e takimit. Ildi Gruda arrin të shënojë në minutën e 83-të, por pa mundur t’i japë pikë kampionëve në fuqi. Bardheblutë marrin kështu fitoren e 9 në kampionat dhe vazhdojnë të mos e lëshojnë kreun e tableës. Tirana udhëheq tashmë me 30 pikë të grumbulluara, 3 më tepër se Kukësi i vendit të dytë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.

Shehi (Tirana): “Ishte ndeshje mes dy rivalëve. Teuta edhe pse ka më pak pikë se vjet, është skuadër shumë e mirë. Ne ishim më efikasë, ndoshta në disa momente mund ta kishim zgjidhur më mirë, duke mos u dhënë mundësi kundërshtarëve të godisnin portën tonë. Na bën shumë mire kjo fitore, pas asaj luhatjeje në ndeshjen me Laçin. Kemi ndryshuar ndoshta me disa invidivë, por edhe me modul. Në këtë ndeshje, në modul, dhe menduam ta zgjidhnim ndeshjen në thellësi. Ngoo ka dhe një dëmtim në kavilje, menduam ta zgjidhnim në këtë mënyrë.

Nga jashtë, shihet ndryshe. Tri ndërrime ishin të detyruara. Xhixhën kisha frikë ta lija më gjatë, sepse vinte pas një dëmtimi. Lojtarët kërkuan ndërrimin, ishim të detyruar. Nuk i ruajta për Partizanin. Totre? I dimë cilësitë e tij, ka dy vite kontratë me ne. Nuk besoj se ndonjë klub të jetë aq i fuqishëm sa të prishim objektivat tona. Titulli? Është shumë e gjatë gara, as Teuta, as Partizani nuk mendoj se janë jashtë gare. Ngoo është pika jonë e referimit. Ndoshta ne po shohim vetëm Ngoo, por s’duhet t’ia faturojmë atij problemet”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *