Nuk i ndahet fati i keq te Reali i Madridit, Eden Hazard lë fushën pas vetëm 28 minutash

Aventura e Eden Hazard te Reali i Madridit deri më tani është e gjitha për t’u harruar. I ardhur me bujë të madhe nga Chelsea, ylli belg nuk ka mundur të tregojë vlerat e tij te “galaktikët”. Dëmtimet e kanë përndjekur që momentet e para të mbërritjes në Spanjë dhe minutat në fushë për të kanë qenë të pakta. Sezonin e shkuar numëroi vetëm 16 paraqitje në total, nga ku mundi të shënojë vetëm një gol.

Ndërkohë në të sezon të ri u rikthye me gol, por fati i keq e përndoqi sërish. Nga infektimi me Covid-19 e deri te lëndimi i radhës në ndeshjen e sotme. Hazard detyrohet të lërë fushën e lojës në takimin kundër Alaves vetëm pas 28 minutash, pasi ndjeu një shqetësim muskulor në këmbën e djathtë.

Sulmuesi 29-vjeçar ndalet sërish pas vetëm 3 paraqitjesh të bëra në këtë sezon të ri, duke llogaritur edhe përballjen e sotme. Nesër pritet të mësohen më tepër detaje nga gjendja e tij shëndetësore dhe koha që do të qendrojë jashtë fushave të gjelbërta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *