“Nuk erdha për të mbyllur kampionatin, por për të sjellë filozofinë time”, Vanoli: Ia jap gjithë qenien time klubit, do veprojmë si Laçi

Mes shumë rasteve të shpërdoruara, mbyllet ndeshja mes Dinamos dhe Vllaznisë. Shkodranët kanë qenë më afër me golin në pjesën e parë, megjithëse ritmi i atyre 45 minutave nuk ishte më i miri i mundshmi. Në minutën e 30 do të vinte rasti i pastër ku pas pasimit të Aralicës, Da Silva u gjend përballë Simonit. Menjëherë erdhi goditja dhe ndërhyrja shpëtimtare e portierit të Dinamos.

Ndërkohë në minutën e fundit Jonuzi goditi fuqishëm nga distanca dhe topi u afrua me trekëndëshin, por duke dalë jashtë. Dy pretendime për penallti te Vllaznia, teksa më shumë diskutime ngjall prekja me dorë e Imamit në minutën e 43. Arbitri e ka ndalur lojën për disa sekonda dhe në VAR është konfirmuar vendimi i kryesorit se loja duhet të vazhdonte.

Sa i përket pjesës së dytë, raste të pastra kishte për të dy ekipet. Reginaldo u gjend dy herë përballë Zogovic dhe nuk arriti të shfrytëzonte mundësitë e pastra. Ndërsa te Vllaznia kishte vend që të gabonin të gjithë, me kulmin që arriti në minutat e fundit teksa Jonuzi nuk gjeti dot rrjetën vetëm pak metra larg saj. Në fund ishte edhe Hakaj që tentoi nga distanca dhe topi shkoi shumë pranë golit. Me këtë rezultat mund të themi se humbin të dy ekipet, me Vllazninë që nuk shfrytëzon dot mundësinë për t’iu afruar Europës edhe nga Superiorja, ndërsa Dinamo nuk përfiton dot nga humbja e Egnatias me Lacin.

Vanoli (Dinamo): “Jam i kënaqur për lojtarët e mi. Që kur kam qenë unë, ekipi ka pasur gjithmonë paraqitje të mira. Na ka munguar fati. Në ndeshjen me Tiranën, Ibrahimi humbi penallti. Pastaj jemi dënuar nga gabime individuale. Është një skuadër me lojtarë të rinj dhe kjo është normale. Formacioni pak a shumë është gjithmonë i njëjti. Më shumë është punuar me individët. Mangësi ishte se nuk ishin mësuar me këtë lloj përqendrimi. Edhe ata që hynë sot nuk kishin përqendrimin e duhur, madje në vend që të na ndihmonin, në disa raste na ndëshkuan. Ndoshta ky është limiti ynë më i madh.

Më kënaq rritja e këtij grupi. Rezultatet nuk më kënaqin. Por nuk erdha këtu thjesht për të mbyllur kampionatin, por për të sjellë një filozofi tjetër. Me kalimin e kohës do të shihet edhe puna. Veçanërisht në rritjen e lojtarëve të rinj. Kemi një projekti shumë të saktë. Dihet që kur është një projekt në mes, duhet edhe koha. Jam i bindur që këta lojtarë mund të rriten shumë. Më bën përshtypje Laçi. Dy vite më parë lojtarët nuk ishin në formacion. I kanë kultivuar aty dhe tani janë titullar. Është një mënyrë e mirë e të punuarit. Që kur kam ardhur këtu kam pasur besim. Nuk jam një person që demoralizohem kur humb, por nuk ekzaltohem shumë kur fitoj. Ia jam të gjithë veten time klubit”.

Plori (Vllaznia): “Nuk mund të them brishtësi. Ka të bëjë edhe cilësia. Të kesh aq raste dhe të gabosh do të thotë që mungon cilësia. Po nuk shënove, nuk i fiton dot ndeshjet. Kjo ndeshje nuk ishte si gjithë të tjerat. E donim dhe u përpoqëm deri në minutën e fundit për të fituar ndeshjen. Dita e sotme ishte një goditje për ne. Duke ditur që luanim me Dinamon në fundin e tabelës, duke ditur që duam të arrijmë Kupat e Europës nga kampionati”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *