Nga Klaudio Ndreca
Xhakomo Vrioni është pjesë e Juventusit U-23 dhe e realizoi ëndrrën e madhe duke debutuar me ekipin e parë të bardhezinjëve në takimin ndaj Romës. Për 11 minuta ka vrapuar në fushë me fanellën e kampionëve të Italisë në një moment prestigji për të. Megjithatë për të mbijetuar në këtë ekip nuk mund të jetë e lehtë.
Në Itali janë të sigurt se Vrioni do të largohet në këtë merkato të verës. Pra duke mos shijuar dot punën me trajnerin e ri Andrea Pirlo, i cili do të marrë drejtimin e Juventusit U-23. Sulmuesi shqiptar ka interesimin e dy ekipeve të Serisë B, Askoli dhe Pisa. Megjithatë kalimi i tij në këtë kategori do të jetë si huazim dhe jo shitje përfundimtare, me kartonin e lojtarit që do të mbahet ende nga ana e Juventusit. Vrioni realizoi një rekord më vete në këtë sezon duke luajtur në tre kategori të ndryshme, Seria A, B dhe C brenda një kampionati. /Sport Ekspres/