Nga Klaudio Ndreca
Viteshe ka bërë një nisje të mirë të kampionatit në “Eredivisie” teksa grumbulloi 6 pikë në 2 ndeshjet e para. Pra duke marrë maksimumin, megjithëse kjo skuadër holandeze është goditur nga pandemia. Nuk ishte aspak e lehtë teksa u mësua se 8 pjestarë të stafit te ky klub rezultuan pozitiv nga Koronavirus. Mes tyre ishte edhe trajneri i Viteshes, Thomas Letsch, që nuk mund të ulej në stol për ndeshjen kundër Spartës që u fitua në shifrat 2-0.
Megjithatë porosia i ishte lënë trajnerit të rastësishëm, Edward Sturing, që do të qendrojë në pankinë derisa Letsch të rezultojë negativ. “Armando Broja duhet të aktivizohet në pjesën e dytë”. Sulmuesi shqiptar debutoi 5 minuta në ndeshjen e parë të kampionatit dhe pati aq shumë histori kërcënimi për portën kundërshtare, aq sa nuk i kishin disa lojtarë të Viteshes që luajtën për 90 minuta.
Edward Sturing e aktivizoi Brojën ndaj Spartës në minutën e 66 dhe menjëherë do të vinte goli i parë në “Eredivisie” dhe njëkohësisht në futbollin profesionist nga sulmuesi i Shqipërisë. Menjëherë pas përfundimit të takimit, Sturing është shprehur në mënyrë të sinqertë se nuk e njihte Brojën, por ka mbetur i mahnitur prej tij.
“Do të jem trajneri i Viteshes për pak ditë. Unë nuk e njihja Brojën. Por çfarë lojtari fantastik që është ky! Fitorja është ajo që llogaritet gjithmonë. Ne do të kthehemi në normalitet dhe e gjithë kjo rrëmujë do të largohet. Të gjithë do të jemi këtu për Viteshen. Edhe nga ekipi i të rinjëve nëse do të kërkohet për t’iu bashkangjitur skuadrës së parë”, u shpreh Sturing edhe për situatën e pazakontë që ka mbërthyer Viteshen. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë që ndeshja e radhës për Viteshen do të jetë kundër Ajaks dhe një tjetër gol i Armando Brojës, do ta kthej sulmuesin e Shqipërisë në talentin që do të bëjë jehonë të madhe edhe në Holandë. /Sport Ekspres/