“Nuk e kam menduar kurrë se do të bëhesha zv.President i UEFA-s”! Rrëfimi i Armand Dukës, suksesi i kreut të FSHF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar një intervistë në “News24” me gazetare Çenkuela Hasa, ku ka rrëfyer eksperiencën e tij në krye të FSHF-së, sfidat, sukseset dhe objektivat e së ardhmes.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal te vështirësitë që ai ka hasur gjatë këtij rrugëtimi dhe komentoi ndryshimet e mëdha që ka pasur futbolli i djemve dhe vajzave në vendin tonë.

Gjithashtu, Presidenti Duka bëri thirrje edhe njëherë për ligjin e sponsorizimit, që ende nuk është aplikuar. Ai tha që duhet të ketë një ligj të sponsorizimit që të ndihmojë sportin në përgjithësi në Shqipëri dhe jo vetëm futbollin.

– Si është rutina e fillimit të javës për një njeri që ka aq shumë angazhime?

– Faktikisht nuk duket sikur ndryshojnë ditët për mua, janë pothuajse njëlloj nga pikëpamja e ngarkesës. Madje është njëlloj si e hëna dhe e diela nuk ka ndryshime. I vetmi pushim javor është dita e diel në drek, pastaj pjesa tjetër është e gjitha punë mes biznesit dhe futbollit, mes Federatës dhe bizneseve të mia. Vërtetë shumë i ngarkuar, nga mëngjesi në darkë. Ka shumë miq që më thonë pse bën kaq shumë punë? Në fakt kjo është diçka që më pëlqen.

– Si kanë qenë këto vite në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit?

– Koha është relativisht e gjatë, por edhe ndryshimet janë vërtetë shumë të mëdha gjatë kësaj kohe, ndryshimet në futboll, për zhvillimin e futbollit, por edhe ndryshimet personale janë të mëdha. Në ditët e para kur kam ardhur në Federatën e Futbollit kam menduar që është një gjë jo impenjative, kam menduar një gjë që nuk do të më marri shumë kohë, nuk do të ketë shumë nevojë për mua. Kisha një koncept të gabuar për këtë institucion, por pasi u gjenda në të, pashë që ishte një impenjim i madh, kishte shumë gjëra për të bërë. Besoj se kemi bërë diçka, besoj se jemi shumë më ndryshe se sa ditë e para kur ishim një institucion inegzistent nga pikëpamja organizative, shumë pak prezent edhe me aktivitetet. Në fillimet e mia në vendin tonë bëhej vetëm një aktivitet në Kategorinë e parë dhe një në Kategorinë e dytë me sistem grumbullimi, ndërsa sot ne organizojmë jo vetëm Kampionate Kombëtare të gjitha niveleve, por organizojmë edhe Kampionate rajonale për fëmijët, për amatorët, të veteranëve, të vajzave që nuk egzistonin në atë kohë dhe që është zhvilluar shumë. Për të thënë në numër organizojmë rreth 600 ndeshje në javë. Edhe në përfaqësimin internacional të futbollit shqiptar, që jemi në të gjitha nivelet që ka organizime Kombëtare në Europë, apo në kualifikueset Botërore si për vajza dhe për djem. Pra ndryshimi është i madh, qoftë nga numri i futbollistëve dhe futbollisteve që janë në aktivitet, qoftë nga aktivitetet por edhe nga përfaqësimi dhe nga rezultatet.

– Përpara se të vije në krye të Federatës, çfarë lidhje keni patur me futbollin?

– E kam thënë edhe herë të tjera, nuk ka qenë në ambiciet e mia që të bëhem ndonjëherë drejtues i FSHF-së. Në ato vite çdo njeri që merrej me biznes, padyshim që i ofroheshin të gjithë sportet për të siguruar ndonjë mundësi sponsorizimi dhe organizimi. Duke qenë që unë kam filluar bashkë me vëllain tim një biznes që në vitet 1991, ishim le të themi biznesmenët e kohës dhe kishim edhe mundësi për të ndihmuar jo vetëm futbollin por edhe sportet e tjera. Në atë kohë kemi sponsorizuar edhe ekipin e volejbollit të Erzenit, pastaj kemi sponsorizuar edhe futbollin në Shijak dhe Durrës, pra kemi pasur lidhje me sportin në përgjithësi. Duke qenë që kisha goxha marrëdhënie me të gjithë klubet e futbollit në Shqipëri, ma propozuan që të isha një nga kandidatët për President. Në fillim e kam menduar si diçka që nuk do më marri kaq shumë kohë, sepse realisht nëse do ta dija që do të ishte diçka kaq impenjative nuk e di nëse do të vendosja për ta marrë këtë detyrë dhe angazhim. Lidhja ime me sportin ka qenë gjithë jetën. Gjithë familja ime është familje sportistësh. Babai im ka qenë futbollistë dhe trajner futbolli. Vëllai im ka qenë volejbollist për më shumë se sa 20 vite.

– Në gjithë këto vite, a ka ndonjë futbollistë që ju keni një admirim të veçantë për historinë që ai ka?

– Periudha që unë jam në futboll është relativisht e gjatë dhe simpatia në momente të veçante ka ndodhur shpesh dhe kam pasur shpesh. Por marrëdhënia ime me futbollistët ka qenë gjithmonë e barabartë, me të gjithë. Por duke qenë se është një sport që të jep shumë emocione, më shumë se çdo gjë tjetër në momentin kur një futbollistë bën një gol, ose që të zgjidh një ndeshje, atëherë duke si njeri më i dashur në botë dhe unë nga kto kam patur shumë në moment të veçanta. Por në sjelljen time të përhershme nuk kam patur asnjëherë asnjë dallim me futbollistët. Gjatë gjithë kohës jam munduar t’i respektoj, edhe pasi kanë lënë karrierë në futboll, për t’i treguar që ne jemi një familje dhe jemi gjithmonë në dispozicionin e tyre dhe që e njohim kontributin e tyre dhe do ta njohim përjetësisht. Futbolli është një sport vërtetë i vështirë, është një sport që duhet të sakrifikosh por është shumë i bukur. Çdo sport është i bukur dhe të gjithë njerëzit duhet të merren me sport, sepse në radhë të parë të ndihmonë për të përmirësuar jetën, të ndihmonë nga pikëpamja shëndetësore, pasi sporti padyshim që të largon nga shumë sëmundje, të largon nga obeziteti dhe të edukon. Kështu që unë them që të gjithë duhet të merren me sport por kryesisht me futboll, sepse futbolli është akoma më i bukur, të edukon frymën e skuadrës, është sport kolektiv dhe në fund të fundit është sporti më i bukur në botë.

– Një rëndësi të veçantë FSHF i ka kushtuar edhe futbollit të vajzave, si po shkon?

 – Futbolli i vajzave ka filluar relativisht vonë, krahasimisht me Europën dhe kjo për shumë arsye. Por një nga arsyet kryesore ka qenë mentaliteti, pasi në vendin tonë është konsideruar një sport mashkullor. Ne kemi luftuar shumë me këtë lloj mentaliteti në vitet 2008 -2009 kur ne kemi nisur këtë aktivitet. Kemi filluar me pak skuadra, kemi filluar me kampionat me sistem grumbullimi dhe më vonë kemi ndërtuar edhe ekipet Kombëtare. Akoma mbetet një sfidë e vështirë nuk është shumë e lehtë. Unë mendoj që e kemi fituar luftën me mentalitetin, sot askush nuk mendon që ky është një sport vetëm mashkullor dhe prindërit i mbështesin vajzat për të qenë pjesë e futbollit. Ne kemi bërë shumë projekte dhe vazhdojmë t’i bëjmë për ta bërë masiv futbollin e vajzave, që në shkolla e pastaj në nivelin profesionist. Objekivat tona janë që të dyfishojmë numrin e vajzave që luajnë futboll dhe ne për këtë kontibuojmë shumë. Vazhdojmë ta kemi në qendër të vëmendjes, për ta çuar futbollin e vajzave në nivele të barabarta me atë të djemve. Unë jam shumë i sigurt që një ditë futbolli i vajzave do të jetë me një njëjtin numëri, përkrahje me të njëjtat nivel dhe në fund të fundit me të njëjtin shikueshmëri dhe interes nga publiku.

– Ka qenë ambicie personale të bëheni Zv.President i UEFA-s?

– Kur kam filluar si Presidenti i FSHF-së që të mëndoja se do të bëhesha Zv.Presidenti i UEFA-s vërtetë ishte utopike. Nuk e kam menduar sepse me të vërtetë kemi qenë në kushte të pabarabarta me të tjerët në ato kohë, por me kalimin e viteve, me zhvillimin e futbollit në Shqipëri, me rezultate, me ndryshimin e infrastrukturës, apo të vetë institucionit, që për mua nëse do ta konsideroja sukses, më i madhi është organizimi dhe konsolidimi i FSHF-së dhe kthmin e saj në një faktor udhëheqës dhe të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në vend. Nga kjo besoj se vjen edhe përfaqësimi i futbollit shqiptar në nivelin Europian. Jo vetëm me mua si anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe Zv.President i UEFA-s, por me një pjesë të madhe të futbollit shqiptar. Kur unë kam filluar si President vendi ynë kishte vetëm një delegat ndeshje në atë kohë, ndërsa sot numëron mbi 15 anëtar të komiteteve të ndryshme sepse kështu është organizimi i UEFA-s, me komitete për çdo fushë, ku dy drejtohen nga unë, por në të gjitha komitetet kemi përfaqësues nga futbolli shqiptar. Nëse nuk ke zhvillim në vendin tënd është e vështirë që të kërkohesh për të kontribuar në futbollin europian. Është vlerësim për futbollin, për Federatën, përfaqësimi në nivelin Europian, jo vetëm si Zv.President, por me një pjesë të mirë të administratorëve, të specialistëve dhe të arbitrave shqiptarë.

Ju keni qenë pro sponsorizimit të sportit në terësi veçanërisht të futbollit, a ka pasur zhvillime rreth kësaj tematike?

– Ky është një nga dështimet e mia, me gjithë luftën dhe insistimin tim prej vitesh akoma nuk kam arritur të bind politikën, të bind qeverinë, që të ndryshojë ligji që ndihmonë zhvillimin e sportit në Shqipëri. E kemi propozuar me kohë, kemi bërë argumentat sepse kjo është një gjë e mirë për sportin dhe futbollin. Nuk kërkohet që sporti të marrë një donacion apo të marrë disa leke nga buxheti i shtetit, padyshim disa lekë do burojnë nga diku, por ne kërkojmë që sporti të ketë një lidhje direkte me biznesin, me kontroll nga lart, që të mos ketë rrugë për abuzime. Nuk është përkrahur deri tani, jemi nga të paktat vende që lëshojmë shumë pak nga buxheti në mënyra të ndryshme për sportin. Uroj mos të jetë dështimi im deri në fund, le të themi të karrierës time në FSHF.

Do ta mbyll me futbollin dhe dua të njoh Presidentin Duka përtej punës, a janë nipërit e t’u pika jote e dobët?

-Unë nuk besoj se ka gjysh që mos të jetë i dashur me nipërit. Është një nga gjërat më të bukura që i ndodh një njeriu në jetë, ka shumë gjëra të bukura që ndodhin në jetë sepse jeta është e gjatë dhe duhet ta jetosh që të bëhesh edhe gjysh. Vërtetë janë shumë të dashur dhe jo vetëm unë, por të gjithë gjyshërit i duan shumë nipërit dhe të gjithëve ju duket se janë më mirët në botë dhe për të mitë unë them që janë më të bukurit dhe më të mirët në botë. Ku vijnë fëmijët je në një moshë tjetër, je në një moshë akoma më të re, jo shumë të përgjegjëshme dhe nuk është se i shijonë aq shumë. Në të vërtetë bëjmë gabim që nuk i shijojmë aq shumë, ndërsa kur vijnë nipërit je në një moshë më të përgjegjëshme, i shijonë dhe i do më shumë. Janë “mjalti i mjaltit” siç i thotë edhe populli.

– Zakonishtë fëmijët e personave të njohur në Shqipëri janë gjithmonë të ekspozuar ndaj kamrave, ndërsa fëmijët e t’u nuk janë mediatik. Ka qenë ndikimi juaj në këtë zgjedhje apo ka ardhur natyrshëm?

 Padyshim që jam përpjekur t’i edukoj sa më mirë. Nuk është se kam pasur ndonjë tendencë që duhet të jenë larg jetës publike apo ekspozimit pubik, por jam përpjekur që t’i edukoj sa më mirë. Nëse e kam arritur apo jo këtë kemi kohë që ta shohim dhe duhet ta vlerësojnë të tjerët. Kam defiçite në vitet e para të rritjes së tyre, më shumë është marrë bashkëshortja se sa unë, është një nga ato gabimet që njeriu i bën me moshën sepse impenjohet më shumë me gjëra të tjera, por nuk kam ndonjë pishman sepse e ka përmbushur shumë mirë bashkëshortja ime këtë pjesë. Të dy fëmijët e mi janë shkolluar, ky ka qenë një nga objektivat, që të kenë shkollën dhe kulturën e duhur. Të dy punojnë dhe janë mirë. Nëse zgjedhin të jenë personazhe publike është zgjedhja e tyre, deri tani nuk kanë zgjedhur diçka të tillë, e rëndësishme është të jenë me këmbë në tokë gjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *