“Nuk do merrem me gjithë gomarllëqet që thuhen lartë e poshtë“, Redi Jupi kthen përgjigje për deklaratën e Halilit

Deklarata e bërë nga Redi Jupi në “Zona Gol“, se ky ekip kampion i bardhebluve është më i dobëti ndër ato skuadra të Tiranës që kanë fituar titullin ndër vite, ka marrë një vëmendje të madhe mediatike. Fjalët e tij kanë rënë edhe në veshin e Refik Halilit, i cili i ktheu përgjigje në emisionin “Skaner“ mbrëmjen e djeshme.

“Kam dëgjuar në media nga një person që u shpreh se do ta shihni Tiranën në Kupat e Europës sesi do të dështojë. Më vjen keq, nuk duhet ta ngërrojë biznesin e tij privat me ne. Kjo është mllëf dhe dashakeqësi. Nuk e di se ku bazohet për të dalë në një deklaratë të tillë. Kur jep opinione në media duhet të jesh i kujdesshëm. Këtë vit ka ardhur ora që t’i kënaqim edhe këta persona që thonë se do ta shihni Tiranën, le të shkojmë në grupet e Europës“, ishin fjalët e thëna nga presidenti i Tiranës.

Ndërkohë vetë Redi Jupi, në lidhje me këtë deklaratë të Refik Halilit, është shprehur në studion e “Procesi Sportiv” se: “Në emisionin e kaluar e bëra një sqarim për këtë. Nuk do merrem me gjithë gomarllëqet që thuhen lartë e poshtë tani. Nuk do sqaroj gjithë njerëzit se çfarë flasin e çfarë bëjnë. E thashë në emisionin “Zona Gol”, bëra një analizë. E sqarova njëherë, nuk kemi pse ti kthehemi. Mua as më ka fyer njeri, as më ka përmendur me emër. Është kohë e humbur. Një muhabet kot. Italianët kanë një shprehje: ‘E lë kohën ashtu siç e gjen’”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *