Trajneri i Bolonjës, Sinisha Mihajloviç, nuk e ka përtypur lehtë humbjen turpëruese që ka marrë ekipi i tij kundër Romës. Madje si asnjëherë më parë ka ardhur edhe një vendim drastik për të dërguar skuadrën në fushën stërvitore deri për Krishtlindje. Ky është dënimi i dhënë nga ana e teknikut serb pas humbjes në shifrat 1-5 ndaj Romës.
“Pjesa e parë ishte katastrofë, dukeshim si të ishim amatorë. Kjo nuk është e drejtë, nuk mund të humbim në këtë lloj mënyre. Tani duhet që të pastrojmë kokën tonë dhe të shkojmë në izolim total. Askush në shtëpi, të gjithë te kampi stërvitor deri për Krishtlindje. Pashë një performancë të keqe në fushë dhe gjërat nuk mund të shkojnë kështu. Lidhja ime me lojtarët shkon më tepër sesa futbolli, sidomos pas asaj që kalova. Kam një marrëdhënie shumë të veçantë me ta dhe gjithmonë mundohem që ti justifikuar. Megjithatë sot i kanë kaluar të gjitha limitet dhe për këtë arsye do të shkojmë në kampin stërvitor”, tha Mihajlovic. /Sport Ekspres/