Partizani ka marrë sot barazimin e parë për këtë sezon në “Abissnet Superiore“. Të kuqtë janë ndalur nga Kastrioti në një ndeshje që përfundoi me rrjeta të paprekura për të dy ekipet. Kryeqytetasit kanë provuar disa herë për të gjetur golin, por pa sukses. Ekipet ndajnë nga një pikë në “Elbasan Arena”, duke dështuar të gjejnë rrugën e rrjetës. Kastrioti mban vendin e 6 në renditje, ndërsa Partizani ruan ende kreun e “Abissnet Superiore“-s. Megjithatë pozitat në vendin e parë nuk janë aspak të sigurta, teksa Tirana e ndjek me vetëm 1 pikë diferencë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol“ në “Oversport“.
Kolela (Partizani): “Bëmë një ndeshje të mirë. Goditëm portën në disa raste, por i tillë është futbolli. Mund të krijosh shumë dhe të mos fitosh dhe me një rast të fitosh. Nuk bëmë një ndeshje të keqe, por as shumë të mirë. Nuk arritëm që të mbanin ritmin gjatë gjithë ndeshjes, siç kemi bërë herët e tjera. Por kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Partizani i varur nga Skuka? Është një statistikë? Edhe mund të jetë, nuk ka asgjë të keqe. Sot goditëm portën në disa raste, por nuk arritëm të shënonim. Kur je i pari në renditje, kundërshtarët luajnë në mbrojtje, prandaj duhet të përgatitemi edhe për këto situata. Pse u ndërrua Hoti? E njëjta lëvizje që bëra me Vllazninë, por atëherë nuk më pyeti njeri. Doja më shumë hapësira nga krahët, për të krijuar më shumë rrezik në sulm”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/