Nga Klaudio Ndreca
Etrit Berisha (4.5): “Shumë larg magjisë së që po kalonte te Torino, mund të jepte gjithçka ndaj Israelit, përveçse sigurisë. Mbrojtësat kanë shpeshherë nevojë për qetësinë e portierit, Berisha nuk ishte aty. Në largimet e topit dhe pasimet e kryera djallos gjithçka. Prapavija ka frikë për të kthyer topin mbrapa, Berisha duhet ta kalojë topin nga këmba e djathtë në të majtën e tij të preferuar dhe kjo i merr shumë kohë. Kundërshtarët i vijnë me shpejtësi të madhe dhe në fund topi përfundon në rivënie anësore, shumë pranë portës tonë. Nëse lojtarët e Islandës do të përsërisnin të njëjtin presion me Berishën, me topat e hedhur në zonë nga rivënia anësore si të ishin goditje këndi, nuk do të ishim kurrë të qetë. Por fatmirësisht lojtarët e Israelit nuk e kanë këtë dhunti të lindur si islandezët sepse do të kishim “goditje këndi” çdo 2 minuta për rivalët, sidomos në pjesën e dytë. Përveç topave të humbur dhe faktit se nuk qetëson lojën me pasimet e tij, në fund ka peshë të madhe faji në mënyrën e grushtimit te goli i dytë. Mbrëmje e errët”.
Ardian Ismajli (5.5): “E kemi thënë edhe më parë. Të gjithë komentojmë Gjimshitin dhe Kumbullën, por kemi harruar Ismajlin. Sigurisht që dy golat e pësuar nuk mund ta shndërrojnë në yll, por në pjesën e parë tregohet i rëndësishëm për ekipin dhe na shpëton në jo pak raste. Te goli i parë mund të tregonte zgjuarsi për ta ndalur rivalin me faull, rrezikon ndonjë moment duke u futur direkt për të marrë topin kur jemi të pavendosur mbrapa dhe duhet tërheqje”.
Berat Gjimshiti (6): “Ashtu si ndaj Islandës, edhe këtë herë Berat Gjimshiti e pa veten teksa kundërshtari shënonte. Nëse në të parën dhurata ishte e tij, këtë herë nuk kishte faj në rastin e kundërsulmit të Izraelit. Ndoshta mund të bënte më shumë për ta ndaluar Solomon që “e trullosi” për mënyrën sesi e la në vend me driblimin. Në duelet e tjera arrin që t’i lexojë rivalët. Para ndeshjes u shpreh se gazetarët dhe mediat kanë qejf që të merren vetëm me gabimet tona. Këtu na zhgënjen Berati, realisht me kaq shumë gabime sa po ndodhin në prapavijë, pranimi i tyre është gjëja më e pakët që mund të bëhet në këtë moment, mohimi është çmenduri. Diçka nuk po shkon”.
Frederik Veseli (5): “Merr vendin e Kumbullës, megjithëse jo saktësisht në pozicionin e tij. Bën lojën e thjeshtë dhe nuk gabon. Ndihmohet edhe nga Hysaj që këtë herë kishte vendosur të mos merrte kurrë krahun në ofensivë”.
Ivan Balliu (7): “Lojtari i ndeshjes! Nuk ka asnjë dyshim, ishte mushkëria e Shqipërisë. E gjeje kudo, në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Krahu i djathtë i përkiste vetëm Balliut. Ka cilësi të jashtëzakonshme në driblim, por edhe në goditjen e portës kundërshtare, e tregoi. Pasimet kanë siguri maksimale dhe befasi, krosimet janë gjithmonë të rrezikshme dhe kurrë nuk përfundojnë si topa të hedhur në zonë për të larguar topin nga këmbët. Klas! Shumë e kritikojnë se nuk u gjend në mbrojtje kur Shqipëria pësoi golin e parë, por harrojnë se Hysaj nuk e mori kurrë fundoren në 90 minuta loje. Nëse Balliu do të qëndronte si Hysaj duke pritur në mbrojtje, a do t’i afrohej më portës kundërshtare Shqipëria? Kurrë! Asnjë peshë faji, Balliu është fitorja e vetme në “dy humbjet” e Shqipërisë pasi edhe barazimi me Islandën, i tillë shijoi”. Fatkeqësisht është 30-vjeç dhe ne duhet ta quajmë “fitore” dhe “talent”.
Elseid Hysaj (5): “Të luash thjeshtë është vlerë e madhe. Por edhe në këtë thjeshtësi të Hysajt, ka diçka që shkon keq. Në golin e dytë të pësuar është për të vendosur duart në kokë sërish. Pasi lojtari kundërshtar gjuan topin drejt Berishës dhe ky i fundit e grushton, Hysaj nuk dëshironte që lodhej shumë dhe të sulmonte lojtarin kundërshtar që i mbërriti topi në krahun dhe vendin ku shkodrani duhej të ishte. Me shumë gjasa nuk do ta arrinte, por sërish një përpjekje duhet bërë. U mjaftua me një ngritje dore nga anësori për të kërkuar pozicion jashtë loje dhe për t’u mos lodhur, pasi kishte qëndruar gjithë kohën në vendin e tij dhe pa dalë fare në sulm. Për herë të parë, për shkakun e kritikave të shumta, nuk doli kurrë në fundore për 90 minuta, duke qëndruar i qetë në prapavijë. Por një mënyrë e tillë loje me skemën 3-5-2, do të thotë që nga e majta je inekzistent dhe Balliu duhej të merrte d.oping, si e vetmja mënyra për të përballuar që për 90 minuta të sulmohej vetëm nga e djathta dhe të mos harrohej mbrojtja. Si gjithmonë, kur Hysaj nis që të krosojë, lojtarët e tjerë të Shqipërisë duhet të kthehen menjëherë në mbrojtje dhe të mos shpresojnë sepse topi shkon në duart e portierin e kundërshtar”.
Kristjan Asllani (5.5): “Ka shumë pak minuta me Kombëtaren. Është e thjeshtë për ta kritikuar këtë djalosh të ri, por Reja zgjodhi që t’i besonte tani për herë të parë. E kuptueshme që nuk kishte sensin e orientimit dhe të pasimit të saktë mes një grupi të ri, ku e testoi veten tani në fushë. Kjo është shpjegimi i një peformance jo të atij kalibri dhe lartësie që Asllanit i takon. Për më tepër, trajneri kundërshtar e bllokoi në çdo moment me lëvizjet dhe skemat e tij për ta nxjerrë sa më tepër jashtë loje. Cilësia dhe potenciali mbetet në këmbët e Asllanit”.
Nedim Bajrami (6): “Përse Reja nuk e aktivizoi me Islandën? E pashpjegueshme! Po aq sa edhe largimi nga fusha ndaj Israelit. Nuk ishte ylli i ndeshjes, por po mbante në ritëm Shqipërinë me aksionet sulmuese. Në kundërsulm shfaqi edhe shpejtësi impresionuese, megjithëse mund ta shërbente më mirë Brojën në pjesën e parë. Ka nuhatjen e duhur me pasimet dhe idetë e tij, që janë gjithmonë kër.cënim për kundërshtarin. Një lojtar i tillë nuk mund të qëndrojë në stol te Shqipëria, nëse e kemi këtë luks, atëherë duhet të kërkojmë jo vetëm kalimin në Europian, por edhe të grupeve”.
Amir Abrashi (5.5): “Amiri nuk ndryshon nga stili i tij, muskuj dhe vrapim. Këtë e ka treguar gjithmonë dhe nuk ka zhgënjyer kurrë. Kjo ndeshje ishte e një tjetër natyre, Shqipëria duhej të fitonte. Megjithatë “truri” i përdorur në pasime befasuese për kundërshtarin nuk është një cilësi që i përket Abrashit. Ndeshje normale për të, shkëlqen më tepër në ndeshje ku Kombëtarja nuk është favorite në letë letër”.
Armando Broja (6.5): “Çfarë do të ndodhte nëse Broja humbiste rastin te goli i shënuar ndaj Hungarisë në Air Albania? Do të provonte një shije të ngjashme si kjo mbrëmje ndaj Israelit, me disa doza më tepër të zemërimit. Është e pamundur që të kritikosh Brojën. Edhe nëse kthehet në një gjë që cilësohet “e keqe” dhe “e dëmshme”, patjetër që bëhet fjalë për “të keqen e domosdoshme” dhe “të dëmshmen” që të krijon varësi. Në teori mund të kritikohet se disa herë nuk e pasonte topin te shokët e ekipit. Por cili prej tyre goditi rrezikshëm portën ndaj Israelit dhe Islandës? Askush! Madje shumica e aksioneve të rrezikshme që u krijuan, ishin të gatuara prej tij. Kritikat për të duken më shumë si një mënyrë për të shfryrë sadopak nervat nga tifozët dhe për ta ndihmuar në përmirësim nga analistët. Koha dhe faktet na kanë treguar se Broja nuk i hoqi asnjë gol të mundshëm Shqipërisë me mbajtjet e tepërta të topit. A jemi ne që e kërkojmë shpëtimin prej tij siç e bëmë hero në dy ndeshjet ndaj Hungarisë, teksa na dha gjashtë pikët kur të gjithë po humbisnim rastet e pastra, edhe para portierit? Sigurisht që ndikon edhe gabimi te goli i parë i pësuar, por kritika më e madhe në atë rast bie mbi vendosjen e Kombëtares. Një top i humbur nga një sulmues në gjysmëfushën e kundërshtarit është normale të ndodh, shumë normale madje, por lojtarët e tjerë menduan se Broja ka “magnet” te këmbët dhe nuk e lëshon kurrë topin, duke marrë zemër dhe mbrojtësit që kishin dalë të gjithë përpara. Mos të harrojmë se Broja vinte nga COVIDI dhe stërvitja individuale, dallon mbi të tjerët dhe kur nuk është në formën më të mirë”.
Myrto Uzuni (5.5): “Ka grintë, jep shkëndijë dhe vrapon shumë. Limiti vazhdon të jetë brenda zonës së kundërshtarit, nuk tregohet “i dëmshëm” për ta. Kërkon të marrë penallti në dy raste, arrin të hipnotizojë vetëm arbitrin, kurrsesi mbrojtësin kundërshtar. Në kontaktin e dytë brenda zonës mund ta kishte shfrytëzuar më mirë atë mundësi të artë. Të gjithë vendosëm duart në kokë dhe kërkuam penalltinë pasi dëshironim që Shqipëria të shënonte. Kur u kthyem më gjakftohtë, kuptuam se 11-metërshi do të ishte tërësisht i padrejtë për ne. Prisnim të kishte më shumë kimi me Brojën, sa kanë edhe jashtë fushe”.