Notat e Kombëtares/ Regjisor Memushaj kishte harruar skenarin! Hysaj për t’u harruar, Gjimshiti është “xhevahir”

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria arriti që të fitonte në shifrat 0-1 kundër Andorrës falë golit të realizuar nga Ermir Lenjani. Një nisje e mbarë e këtij edicioni kualifikues në Botëror për kuqezinjtë, megjithëse nuk shkëlqyen me lojën e zhvilluar. “Sport Ekspres” ka përgatitur më poshtë edhe vlerësimin për formacionin që e nisi si titullar kundër Andorrës:

Etrit Berisha (4.5): “Lojtari i fundit që duhet të vlerësohej në këtë ndeshje ishte Etrit Berisha. Andorra nuk ishte kundërshtari për të parë vlerat e gardianit të SPAL, që rikthehet te Kombëtarja për të ulur në stol Strakoshën. Jep qetësi në pak raste kur i duhet të lërë vendin e tij për të kapur topin me dorë pas një krosimi të kundërshtarit. Na fut disi në panik me një dalje të gabuar në mesin e shtatlartëve të Shqipërisë që ishin dukshëm superior ndaj kundërshtarit. Pjesa e të qenit pa punë në pjesën më të madhe të kohës, bën që Berisha të kërkojë rolin e protagonizmit kur kundërshtari i paraqitet para portës. E vetmja shenjë e keqe”.

Gjimshiti (6): “Reja e quajti si xhevahirin e Kombëtares dhe Berati të mbush me gëzim. Ndeshje e madhe apo e vogël, ndaj një kundërshtari modest apo i kalibrit të lartë, Gjimshiti ruan të njëjtin përkushtim duke treguar se është profesionist i vërtetë. Jo më kot mbetet titullar i padiskutueshëm me ekipin që bënë lojën më të bukur në Itali, Atalantën. Në mbrojtje janë vërtet të rralla rastet kur mund ta shohësh Gjimshitin duke u kaluar nga kundërshtari. Kërkon t’i jap një shtysë ekipit në aspektin sulmues me vertikalizime dhe duke u futur më në thellësi të mbrojtjes së Andorrës me topin në zotërim. Praktikisht bënë më mirë edhe rolin e mesfushorit. Kjo ndeshje ishte për të parë këtë vlerë të mbrojtsave sesa do të ndihmonin në ndërtimin e aksioneve”.

Ardian Ismajli (5.5): “Në të njëjtën lartësi me Gjimshitin në mbrojtje. I fiton të gjitha duelet me kundërshtarët e tij, madje edhe në momentet kur ka presion të madh. Nuk kalon në panik në asnjë moment dhe është garanci në prapavijë. Ndryshe nga Gjimshiti, më pak ndihmë për aspektin sulmues”.

Marash Kumbulla (5): “Mes dyshes së qendrës së mbrojtjes ka një marsh më pak. Luhatja e treguar me Romën gjatë këtyre ndeshjeve të fundit ndikon edhe në Kombëtare. Nuk ka sigurinë maksimale që nga minuta e parë, por pritet për shkakun se po zhvillon ndeshjet e para me Shqipërinë. E rrit performancën me kalimin e minutave”.

Gjasula (5): “Nuk ishte ndeshja e Klausit për të treguar muskujt. Mbyll detyrat e thjeshta që ishin caktuar nga trajneri dhe bën pak për të furnizuar me topa pjesën e sulmit. Pikë të ulura edhe për faktin se e tejkalon me nervozizmin. Kur luhet ndaj Andorrës këto skena janë tërësisht të evitueshme, pasi në ndryshim nga kundërshtarët, bëhet fjalë për profesionalizëm. Provokimet nuk duhet të kenë kundërpërgjigje. Gjithçka e kuptueshme, vinte pas një dëmtimi të gjatë”.

Bare (5.5): “Nuk është Keidi që jemi mësuar të shohim, por nga këmbët e Keidi vjen fitorja e Shqipërisë. Nuk bënë vertikalizimet dhe punën e zakonshme për të përshkruar gjithë fushën, duke i ruajtur disi “bateritë” për ndeshjen me Anglinë. Por mjafton momenti në golin e Lenjanit teksa tregon gjithë klasin e tij me pasimin e hapur pas shpinës së mbrojtjes së Andorrës. Lihen muskujt dhe tregohet inteligjenca, Keidi di t’i përdor të dyja”.

Memushaj (4.5): “Më i dobëti! Regjisori i Kombëtares e kishte harruar këtë herë skenarin në dhomat e zhveshjes. Memushaj nuk dinte sesi të orientonte lojën dhe nuk prodhon asgjë nga këmbët e tij. Krosimet e sakta drejt portës numërohen me gishtat e njërës dorë. Trajneri Reja e heq me të drejtë nga fusha për t’ia lënë vendin Laçit. Ishte mbrëmja “JO” ose më saktë…Lediani nuk hyri fare!

Lenjani (6): “Heroi i Kombëtares! Na jep tre pikët kaq shumë të vlefshme në transfertën e Andorrës dhe e nisim mbarë këtë edicion. E shpëton Shqipërinë nga frika dhe paniku për mos gjetjen e avantazhit. Dështimi i misionit në Andorrë do të ishte katastrofale për vazhdimin. Sinjalet e para po vinin vetëm në krahun e tij, e bënë pjesën sulmuese shumë më mirë sesa Elseid Hysaj. Jo shumë mrekulli nga Lenjani, por i vetmi që i vendos kundërshtarët në rrezik konstant nga krahu. Kordinimi në momentin e golit ishte perfekt kur jemi mësuar me shpërdorimet e mëdha përpara portës”.

Hysaj (4.5): “Vinte te Shqipëria në kulmin e formës më të mirë te Napoli. Me eksperiencën e madhe mbi shpinë dhe pas punës së bërë me trajnerin Gatuzo, mbrojtësi shkodran nuk ka asnjë tjetërsim me Kombëtaren. Në pjesën e sulmit është për t’u harruar. Asnjë krosim nuk futet i rrezikshëm në zonë përveç topit për Ismajlin, që nuk gjeti dot koordinimin. Shumë topa të hedhur në zonë pa asnjë ide të qartë dhe ngadalësim i aksionit befasues sa herë që kontrollon topin në afërsi të portës kundërshtare. E kjo e ardhur përballë Andorrës, lë për të dëshiruar”.

Manaj (5): “Një tjetër futbollist që vinte te Kombëtarja pas shkëlqimit me Barcelonën B teksa është kthyer në golashënues me katalanasit e vegjël. Por në atë grup ka shumë shërbime në zonë që të gjejë rrjetën. I vetëm me aftësi individuale, nuk arrin të zgjidh asgjë. E vetmja pikë pozitive e tij është dueli fizik që fiton në lojën një kundër një. Nuk ka nuhatjen e duhur me portën dhe nuk arrin të rrezikojë. Madje shpeshherë merr përsipër disa detyra që nuk i takojnë. Goditja e dënimit nga 20 metra distancë ku mund të vinte fare lehtë goli dhe largon specialistin Memushaj, për të bërë një goditje të thjeshtë në krahun e portierit me forcë dhe pa tentuar që të kalojë murin kundërshtar. Dëshira për gol ekziston dhe në jo pak raste kthehet e dëmshme për Kombëtaren. Nuk di të gjejë mënyrën!”.

Cikalleshi (5): “Disa gola të shënuara radhazi te Koniaspori dhe me Kombëtaren. Këtë herë nuk shfaqet për asnjë moment kundër Andorrës. Ndikon edhe mbrëmja e dobët e mesfushës që nuk arrin ta furnizojë për asnjë moment. Në Turqi njihet si mbreti i ajrit pasi i ka realizuar të gjitha golat me kokë. Por me krosimet e ardhura nga Hysaj në krahë dhe më pak nga Lenjani, në ajër nuk mund të kapet asgjë”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *