Notat e Kombëtares/ Armando Broja jep leksionet e një sulmuesi, Bajrami na tregon se edhe krosimet kanë artin e tyre

Nga Klaudio Ndreca

Strakosha (Pa notë): “Nuk priste ndonjë punë të madhe ndaj San Marinos, por edhe që ta ndiente veten “kaq të padobishëm”, me siguri që jo. Zero gjuajtje në portë nga kundërshtari dhe thuajse asnjë krosim në zonën tonë që Strakosha të bënte një dalje për t’u nxehur pak. Duhet vetëm që të lëvizi në fushë. E kishte biletën falas për të parë më nga afër spektaklin e golave”.

Gjimshiti (6): “Sigurisht, jo për detyrat mbrojtëse. Gjimshiti nuk ka shumë punë për të bërë në mbrojtje pasi rivalit modest i ndërpritet hovi që në mesfushë. Por mbrojtësi i Atalantës është një dorë e mirë për sulmin dhe shpeshherë e sheh veten si sulmues krahu. Shkëlqen kudo luan”.

Kumbulla (5.5): “Ndryshe nga Gjimshiti, Kumbulla duhet të qëndrojë në prapavijë për të qenë një fanellë e Shqipërisë për çdo rast kundërsulmi të mundshëm. Në minutën e tretë humbet një tjetër shans të artë që të gjejë golin me fanellën e Kombëtares. Top perfekt për Odise Roshin në minutat e fundit, por fieraku nuk shënon dot, pavarësisht spektaklit të dhuruar”.

Mihaj (5.5): “Vjen në vendin e Ismajlit. Ka notën më të ulët jo për shkakun e një paraqitje të keqe, por sepse kryen punën më së miri për mbylljen e kundërshtarëve në ato pak momente që guxojnë të kalojnë mesfushën tonë. Fiton çdo duel kundër tyre, por bëhet fjalë për San Marinon dhe nuk mund të vlerësohet më tepër. Ndryshe nga Gjimshiti, nuk kalon dot në aventurën e sulmit”.

Bare (6): “Keidi Bare është treguar i madh kundër Kombëtareve të frikshme në letër, për të nisur me driblimet e tij që shpeshherë janë spektakolare. Pra askush nuk kishte dyshime që do të luante pak me lëvizjet e tij edhe me rivalët modest. Ka lëvizje që marrin duartrokitjet dhe brohorimat e tifozëve, por edhe pasime që shkojnë dëm. Më veçanërisht në pjesën e parë gabon duke hedhur në kosh disa mundësi të mira për të krijuar pak konfuzion me sulmin. Rezultati ishte vetëm 1-0 pas 45 minutave dhe presioni ishte aty. Por sigurisht, asnjë dyshim për cilësitë e tij”.

Trashi (5.5): “Asgjë për t’u mbajtur mend nga Trashi. Inkursionet e tij nga krahu janë të pakëta dhe të gjithë lojtarët janë të fokusuar te Nedim Bajrami nga krahu i majtë, pasi Trashi mban gjithmonë zonën e tij dhe nuk lëviz prej saj, pa surprizuar në asnjë moment. Ishte ndeshje ku Trashi duhet të merrte më shumë inkursione dhe të shfaqte vlerat me hyrjet e rrezikshme nga krahu në brendësi të zonës. Detyrë e paplotësuar në këtë aspekt, si gjithmonë”.

Bajrami (6.5): “Nuk ka shënuar ende dhe nuk e ka dhënë ende asistin e parë, por dashurinë e tifozëve e ka të fituar thjesht me videot që kemi parë prej tij te Empoli. Pra e njohim mirë dhe e dimë kapacitetin e këtij lojtari, megjithëse kjo ishte vetëm ndeshja e dytë me Kombëtaren. Me një San Marino që po mbahej fort në mbrojtje dhe ishte e rreshtuar me 11 lojtarë në prapavijë, Nedim Bajrami ishte i vetmi që po i lodhte kundërshtarët nga krahu, duke ia bërë më të lehtë shokëve të ekipit për t’i kaluar në pjesën e dytë pasi kishin shpenzuar energji. Driblime që marrin dy-tre futbollistë të San Marinos me vete dhe i rrezikshëm në çdo moment që ka topin në zotërim.

Por ajo që është për t’u veçuar prej tij janë krosimet. Si me Hungarinë dhe me San Marinon, kemi kuptuar që krosimet nga goditjet standarte kanë artin e tyre. Thuajse të gjitha krosat e ekzekutuara nga Bajrami shkojnë te futbollistët e Kombëtares tonë për t’u goditur. Me largimin e tij, krosimet hidheshin më kot në zonë nga goditjet e këndit. Gjithashtu provoi një goditje të fuqishme alla “Bajrami”, por topi nuk iu bind duke shkuar pak mbi traversë. Vetëm çështje kohe goli i parë, shpresojmë ta ketë ruajtur në tetor”.

Qazim Laçi (7): “Një prej më të mirëve të takimit. Që në momentin e himnit shkëlqen. Me shpirtin dhe grintën e madhe, duket sikur po luan kundër Barcelonës dhe Realit të Madridit, jo kundër San Marinos. Nuk e ndal vrapin për asnjë sekondë të vetme dhe nuk tregon neglizhim, duke mos kursyer asgjë. Është si Keidi Bare dhe Amir Abrashi, në mënyrën sesi luajnë këta mesfushorë ndaj Kombëtareve të forta, por Laçi e përsërit edhe me San Marinon. Gjen golin me një koordinim mbresëlënës duke gjetur harkun e duhur për topin. Ishte goli i dytë i Shqipërisë dhe me funksion jetik pasi na dha qetësinë e munguar, në mënyrë që lojtarët të ishin më të lirshëm për të nisur spektaklin e golave. Në muajin shtator nuk kemi fituar vetëm gjashtë pikë, por edhe një lojtar të ri: “Qazim Laçi”.

Hysaj (7): “Elseid Hysaj kthehet në fushën e blertë dhe tregon diferencën e madhe në cilësi. Është i rrezikshëm me marrjen e krahut dhe krosimet e dërguara në zonën e kundërshtarëve, që shpeshherë futen në panik të madh. Realizon edhe një gol në të 68, si për të dhënë më shumë zemër. Por edhe njëherë tjetër shkodrani ka më shumë rritje në lojë kur kalon në krahun e majtë, që për të është improvizim, duke treguar më shumë cilësi sesa krahu i djathtë, i tiji natyral. Driblimet e Hysajt dhe manovra sulmuese i funksionon më shumë në të majtë. Këtë e vumë re edhe ndaj Polonisë, pasi nuk mund të jetë tregues San Marino”.

Myrto Uzuni (6.5): “Kur e do diçka me gjithë shpirt, nuk vjen kurrë te ty. Mes pak fjalëve, kjo është historia e Myrto Uzunit dhe Kombëtares. Ka mundësi flagrante ndaj San Marinos që nuk arrin t’i realizojë. Te Ferencvarosh nuk fal nga pozita të tilla, për më tepër që shpik edhe gola nga hiçi. Ndërkohë te Kombëtarja dëshira e madhe për të shënuar e bllokon para porte. Kulmi arriti me pasimin e Brojës që e nxori të vetëm para portierit, sërish nuk shënoi dot. Më pas me portën e boshatisur kur Broja e asistoi për herë të dytë, nuk mund të gabonte. Shfryn nervat, por ende i pakënaqur me veten, pasi Uzuni kërkon t’i nxjerrë golat me aftësitë e tij. Sigurisht që aftësitë dribluese funksionuan me Hungarinë, nuk mund të viheshin në dyshim me San Marinon”.

Rei Manaj (7): “Shënon golin e parë për Shqipërinë që i sjell qetësinë Kombëtares. Realizimi erdhi në minutën e 33 dhe na hoqi kujtimet e së shkuarës ndaj San Marinos, ku duhej të djersisnim shumë për ta mundur. Kombëtarja nuk e ka pasur kurrë të lehtë ndaj këtyre rivalëve. Pra goli i Manajt kishte peshë të konsiderueshme, ndërsa i anulohen edhe dy gola të tjerë në pjesën e parë. Ka njohje të mirë me zonën kundërshtare dhe goditje potente. Në luftën fizike nuk mund të thyhej nga askush, për asnjë moment të vetëm. Një gjysmë note më e ulët për “mendjemadhësinë” e treguar kur shifrat po thelloheshin. Ngadalësonte lëvizjet dhe tentonte më shumë spektakël, kur duhej të ishte ende praktik për t’u shënuar gola të tjerë. Fatet në grupin tonë mund të vendosen edhe me golavarazhin më të mirë. Sigurisht, për t’u evituar edhe ai festimi i parë i golit ndaj San Marinos duke vendosur dorën te veshi, paksa i ekzagjeruar”.

Zëvendësimet ideale

Armando Broja (7.5): “E çfarë mund të thuash për të? Me fat që e kemi te Shqipëria. Vetëm kur e sheh në fushën e lojës të mbush gjithë gëzim. Ndërsa kur sheh moshën e tij, vetëm 19-vjeç, lumturohesh më tepër. Kritikat mund të nisin për Rejën që e la në stol edhe ndaj San Marinos, por ishte zgjedhja ideale për të mirën e Kombëtares dhe vetë futbollistin. Pasi kundërshtari doli nga rreshtimi i palëkundur me 11 mbrojtësa, Armando Broja “i vr.au” në hapësirat e lëna. Një gol që tregon gjithë potencën e tij, pa e parë portën dhe me nuhatje. I jep “dy llokume” Myrto Uzunit, nga të cilat futbollisti nga Uznova konsumon vetëm një.

Në rastin kur lojtari i Ferencvarosh shënoi, Broja është për t’u duartrokitur pasi nuk zgjodhi që të shënojë vetë, por donte të shihte të lumtur edhe Uzunin. Një pasim me nuhatje të lartë edhe për Laçin te goli i dytë. Traversa e ndali për dopietën personale. Driblime të panumërta nisin me shpërthimet nga krahu, që nuk po shfrytëzoheshin nga futbollistët e tjerë. E gjithë kjo histori për Brojën ndodhi me vetëm 45 minuta. Futbollisti i Southampton hyri në fushë duke treguar leksione të vërteta nga një sulmues që mund ta çojë larg Shqipërinë. Fundja, pavarësisht performancës të mirë, sulmuesi matet me statistika. Armando Broja realizoi një gol dhe dy asist në 45 minuta ndaj San Marinos, ndërsa me pak fat mund t’i kishte edhe më të mira, dy gola dhe tre asist. Ylli i Shqipërisë, me një Sokol Cikalleshi të kësaj forme në epokën e Rejës (10 gola në 14 ndeshje, do të formonin dyshen e frikshme)”.

Odise Roshi (7): “Ka mbaruar raketa? Jo, akoma jo! Futbollisti në fjalë ka kaluar një dëmtim dhe karriera e tij në klub nuk ka shkuar ashtu si duhej. Por në Kombëtare ka të njëjtën “prerje”, pavarësisht se vitet kalojnë. Futet në pjesën e dytë dhe ndryshon gjithë loja falë tij dhe Brojës. Duke parë sesi kundërshtari vihej në vështirësi me topat e futur në zonë, me lojtarët e San Marinos që nuk mundeshin ta largonin menjëherë sferën, Roshi rezulton kyç. Fieraku merr krahun dhe nuk e mendon dy herë për të futur gjithmonë topin në brendësi të zonës duke i sjellë shumë telashe rivalëve. Kështu del asisti për Brojën dhe për Hysajn, por edhe shumë mundësi të tjera që nuk u shfrytëzuan. Në minutën e fundit bën një lëvizje spektakolare dhe vallëzon mes mbrojtësave, por nuk arriti të shënonte. Është asistuesi më i mirë i epokës së Rejës dhe me pak minuta në këmbë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *