Edoardo Reja largohet nga stoli i Kombëtares shqiptare pas 3 viteve në krye të saj. Trajneri i njohur italian ishte sot i pranishëm në Tiranë, ku në një konferencë për shtyp i ka dhënë lamtumirën kuqezinjve dhe i ka dorëzuar stafetën Silvinjos. Reja ka dhënë një intervistë për Sokol Xhihanin në “Supersport”, në të cilën ka rrëfyer gjerë e gjatë ndjesitë e largimit nga Kombëtarja shqiptare, çfarë nuk funksionoi gjatë drejtimit të tij, apo edhe lojtarin me të cilin ngjason më shumë.
Fundi i një cikli:
“Jam i emocionuar për faktin se përfundoi një cikël. Më duhet të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, federatën për ndihmën që më ka dhënë dhe që më ka qëndruar afër. Pata fatin të njoh gjithashtu edhe një komb që më ka dashur shumë dhe shpresoj që të kem lënë një kujtim të mirë. Unë do të jem gjithmonë i lidhur me këtë vend. Sylvinho do të vazhdojë punën time dhe besoj se kam bërë një punë të mirë, pasi kur erdha këtu, Kombëtarja nuk kishte as fillim e as fund. Kam bërë të debutojnë më shumë se 40 lojtarë, por ka ende shumë për të bërë. Largohem i qetë për punën që kam bërë. Ishte një eksperiencë shumë e bukur”.
Çfarë nuk funksionoi:
“Të rinjtë ishin ata që ndoshta u vonuan pak për t’u ingranuar me skuadrën e parë. Pra, mes “gardës” së vjetër dhe lojtarëve të rinj pati pak vështirësi në përshtatjeje. Unë mendoja se të rinjtë mund të jepnin diçka më shumë dhe mund ta japin nëse ndryshojnë sjelljen në fushë dhe tregojnë dashuri për fanellën e Kombëtares. Ata nuk duhet të pretendojnë asgjë, të rinjtë duhet vetëm të jenë të kënaqur që janë pjesë e kësaj Kombëtareje dhe nëse luajnë apo jo duhet të pranojnë zgjedhjet e trajnerit”.
Lojtari që i ngjan më shumë:
“Nuk mund të them një emër. Abrashi, Gjimshiti, Hysaj, por edhe Berisha janë ata që më kanë dhënë një “dorë”. Për rëndësinë që ka treguar ndaj fanellës, mund të them Abrashi. Ai është një lojtar që ngjason shumë me mua, me shumë temperament dhe forcë fizike. Abrashi është lojtari me të cilin jam i lidhur pak më shumë”.
Lidhja me Shqipërinë:
“Do të jem gjithmonë shumë i lidhur me Shqipërinë. Në Itali ka shumë shqiptarë dhe sa herë kthehesha atje, gjithmonë më kërkonin një fanellë. Jam i lidhur me këtë vend. Këtu kam lënë një copëz të zemrës time, sepse vërtet jam ndjerë shumë mirë. Jam krenar që kam qenë pjesë e Shqipërisë sepse ka qenë përgjegjësi e madhe dhe dhashë gjithçka që kisha. Bëra mirë apo bëra keq, këtë do ta gjykojnë të tjerët”, është shprehur Edoardo Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/