Sylvinho është trajneri i ri i Shqipërisë dhe njeriu që do të ketë në dorë fatet për dërgimin e kuqezinjëve në Europian. Karriera e tij si lojtar ka qenë e ndritur, teksa ka luajtur në shumë klube të njohura. Mes tyre mund të futet padyshim edhe eksperienca te Arsenali i Wenger. Disa kohë më parë, Sylvinho ka dhënë një deklaratë dhe është shprehur se ky trajner e ka shënuar në jetën e tij.
“Në atë kohë kur takova Wenger, nëse do të largohesha nga vendi, synimi im ishte të shkoja në Itali. Shumica e lojtarëve të rinj brazilianë ndiqnin shpesh ndeshjet e Serisë A, sepse aty kishte shumë lojtarë nga Brazili si protagonistë të skuadrave kryesore. Në rastin tim, ekzistonte mundësia për t’u transferuar te Interi.
Por më pas, Arsène Ëenger u shfaq në histori. Para një ndeshjeje me Corinthians, gjatë javës, dikush nga klubi më tha se trajneri i Arsenalit ishte në Sao Paulo, ai do të shikonte disa ndeshje dhe se donte të darkonte me mua.
Pas asaj ndeshjeje, shkova për darkë me Arsenin. Kemi kaluar mirë që në momentin e parë. Me ndihmën e një përkthyesi biseduam gjatë. Në bisedën e parë me të, kuptova se ai ishte një person tjetër, me një nivel të lartë arsimimi dhe menaxhimi njerëzor.
Në atë darkë, Arsène vuri në pah edhe aftësitë e mia fizike, duke e bërë të qartë se ai dinte disa gjëra për mua. Për shembull, cilësitë e mia për shpejtësinë dhe aftësinë për të përshpejtuar aksionin. Ishte e pabesueshme. Në fund, nënshkrova për Arsenalin menjëherë pas asaj darke, në parasezonin 1999. Lojtari i parë brazilian në historinë e Arsenalit.
Arséne më ndihmoi të integrohesha në skuadër. Përveç kësaj, sigurisht, që ka ndihmuar në përshtatjen me këtë ritëm shumë të veçantë të lojës që ka Premier League. Ai donte që unë të mos e humbja shpirtin tim sulmues, por duhej të mësoja të mbroja.
Për këtë asistenti i tij, Pat Rice, nuk më la pushim në stërvitje. Unë isha një lojtar më i lehtë, jo mbrojtësi tipik i fortë, por mësova shumë nga Pat për mënyrën e mbrojtjes.
Arsène kishte shumë virtyte, por për mua më e rëndësishmja ishte se ai ishte përpara shumë trajnerëve kur ishte puna për të punuar me grupin. Ai dinte të zgjidhte shumë mirë lojtarët që do të ishin pjesë e skuadrës. Ata ishin gjithmonë lojtarë shumë të mirë teknikisht.
Siç thashë, Ëenger kishte komentuar edhe për aspektet e mia fizike, por kjo nuk ishte gjëja më e rëndësishme për të. Gjëja më e rëndësishme ishte futbolli im dhe mënyra se si luajta. Prandaj më mori.
Kjo është ajo që unë ndjek tani si trajner. Gjëja më e rëndësishme për një futbollist është loja e tij. Më pas, përshtatja me pjesën tjetër do të vijë nëse punoni dhe jeni konstant”, ka thënë Sylvinho në rrëfimin e tij. /Sport Ekspres/