Federata e Futbollit shpalli simbolikisht në Ditën Botërore të Shëndetit 459 mjekët, infermierët, sanitarët, drejtuesit e mjeteve shëndetësore dhe gjithë personelin e përfshirë në vijën e parë kundër Covid-19 si Kombëtaren Tonë. Fanelat e kombëtares shqiptare me emrat e tyre, mbushën stadiumin kombëtar “Air Albania” si një shenjë respekti, vlerësimi dhe solidarizimi me punën e tyre shumë të vështirë në këto ditë. Jemi të lumtur që ky solidarizim u mirëprit gjerësisht nga shoqëria jonë.
Në pamundësi për të vizituar dy spitalet e specializuara dhe duke respektuar rregullat shëndetësore në luftën kundër Covid-19 për ruajtjen e shëndetit të personelit dhe pacientëve, Federata e Futbollit fton 459 punonjësit e shëndetësisë, emrat e të cilëve ndodhen në listën e mëposhtme, të komunikojnë me ne lidhur me tërheqjen e fanelës së tyre me emër të personalizuar dhe topin e futbollit për fëmijët e tyre, duke zgjedhur një nga këto mënyra:
1.Të na shkruajnë në postën elektronike info@fshf.al duke na dhënë adresën e tyre të banimit si dhe numrin e tyre celular. FSHF do të mundësojë dërgimin e kësaj pakete në kohën më të shkurtër të mundshme.
2.Ata që dëshirojnë mund të paraqiten personalisht gjatë ditëve të punës (e hënë-e shtunë) pranë zyrave të FSHF-së në rrugën e Elbasanit, (ose të dërgojnë një të afërm me kartën e identitetit të përfituesit) në orarin 9:30 – 12:30 për tërheqjen e paketës së tyre.
Edhe njëherë shprehim mirënjohjen dhe vlerësimin për punonjësit tanë të shëndetësisë, të cilët po rrezikojnë jetën duke luftuar me virusin Covid-19. Sëbashku do të fitojmë!