Në ditën e fundit të merkatos Flamurtari ka qenë mjaft aktiv, por në dalje. Kështu, është mbyllur përfundimisht edhe transferimi i mesfushorit Haxhi Neziraj te Drita në Superligën e Kosovës. Lajmin e ka publikuar klubi nga Gjilani, që ka postuar edhe një foto të mesfushorit pas hedhjes së firmës.
Në këtë mënyrë, Flamurtari heq një barrë jo të vogël, sepse Neziraj kishte një pagë të lartë dhe nuk kishte ndërmend të pranonte prishjen e kontratës. Mesfushori 24-vjeçar ka luajtur për shumë vite në Zvicër, ndërsa në fillim të vitit 2017 kaloi në Vlorë, ku luajti 17 ndeshje e shënoi 1 gol.
Megjithatë, në sezonin e ri afrimi i disa lojtarëve në mesfushë bëri që Neziraj të humbiste terren dhe këtë sezon ka luajtur vetëm një herë nga minuta e parë. Para pak javësh klubi i komunikoi se nuk e kishte më në planet e veta, por mesfushori refuzoi të largohej pa gjetur ekip të ri, ndërsa tashmë ka preferuar ta vazhdojë karrierën në Kosovë.