Milani e mbylli sezonin 2019-2020 në vendin e 6-të duke siguruar një vend në Europa Ligë, pavarësisht se kuqezinjtë duhet ta fillojnë nga turet eleminatore të këtij kompeticioni. Pas periudhës së karantinës “djalli” tregoi një formë të shkëlqyer, duke triumfuar ndaj skuadrave si Juventusi, Lazio dhe Roma. Për këtë arsye Milani rinovoi me Piolin, çka do të rriste dhe shanset e qëndrimit të Donarumës dhe Ibrahimoviçit.
Por ditët e fundit, Mino Raiola, agjenti i të dy lojtarëve ka refuzuar të pranojë kontratat e ofruara nga drejtuesit e klubit, duke e bërë mjaft të vështirë një marrëveshje nga të dyja palët. Mesa duket dëshira e agjentit është të mundësojë transferimin e Donarumës tek Reali Madrid. Sipas portalit spanjoll, “Don Diario”, portjeri 21 vjeçar është një nga emrat kryesorë që “Los Blancos” duan të afrojnë vitin e tjetër. E gjitha kjo mund të ndodh më kosto 0, pasi kontrata e Xhixhios përfundon në verën e 2021. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/