Jasir Asani duket se nuk e ka të vështirë përshtatjen me klubin e ri të AIK-ut. Futbollisti shqiptar ka realizuar golin e vetëm për skuadrën e tij, në testin miqësor që këta të fundit luajtën ditën e sotme kundër rusëve të Rostov. Ishin pikërisht lojtarët rus që do të gjenin të parët rrugën e rrjetës në minutën e 57, me anë të pikës së bardhë të 11 metërshit.
Por po në të njëjtën mënyrë do vendosej edhe baraspesha që do të vinte nga këmbët e Asanit. Ish-futbollist i Partizanit u rrëzua në zonën kundërshtare dhe gjyqtari i takimit drejtoi dorën e tij nga pika e penalltisë. Ishte pikërisht sulmuesi shqiptar ai që mori përsipër ekzekutimin e saj, por topi i goditur prej tij nuk do të përfundonte pas shpinës së portierit.
Megjithatë, pakujdesia e Rostov bën që fati t’i buzëqeshë sërish. Arbitri kërkon edhe njëherë goditjen e penalltisë, pasi lojtarët rus nisën të hyjnë në zonë pa u gjuajtur ende topi. Nëse në rastin e parë humbi mundësinë për të barazuar, në të dytin ndodh e kundërta. Topi i fortë dhe qendror që u nis nga këmba e Asanit u ndal në rrjetën e Rostov, duke vulosur kështu edhe shifrat përfundimtare të takimit, ato 1-1./Sport Ekspres/