Një francez hero në Afrikë, trajneri i Marokut me zor mban lotët pas eliminimit

Herve Renard është një personazh i veçantë, unik, sepse në moshën 49-vjeçare është kthyer në një afrikan të vërtetë, duke qenë shumë i lidhur me kontinentin e zi, edhe pse është francez.

Karriera e tij ka qenë e pabesueshme, nga Franca në Angli, nga Vietnami në Algjeri. Në vitin 2008 Renard bëri hapin e madh, mori kombëtaren e Zambias dhe aty nisi aventura afrikane. Pak kohë te Angola, më pas sërish te Zambia, ku bëri një mrekulli, sepse doli kampion Afrike në vitin 2012.

Pak kohë te Soshoja në Francë dhe kthim në atdheun e dytë, Afrikën, sepse në vitin 2014 Renard firmosi për Bregun e Fildishtë, duke u shpallur sërish kampion Afrike në vitin 2015, i pari trajner që ia del me dy kombe të ndryshme në Afrikë.

Në vitin 2015 kthim në Francë, te Lila, sërish për pak muaj, sepse Maroku e thirri për ta çuar në Kupën e Botës. Ia doli dhe Maroku luajti një ndeshje të madhe edhe dje ndaj Spanjës, edhe pse erdhi eliminimi.

Pas ndeshjes Renard thuajse u përlot në konferencën për shtyp: “Jam shumë krenar për paraqitjen dhe jam shumë krenar për lojtarët e mi. Jam shumë krenar për Marokun. Ne meritonim të fitonim, patëm shumë raste për shënim në pjesën e dytë. Falënderoj tifozët, më dukej sikur ishim në Kasablanka. Jam i sigurt që gjithë Maroku është krenar për këtë skuadër, edhe pse më vjen shumë keq që nuk i shpërblyem për mbështetjen. Ne kemi lojtarë cilësorë, por nuk kemi një lojtar që shënoj me një ose dy raste. I tillë është futbolli, diferencën  bëjnë lojtarët që dinë si të sillen kur janë brenda zone, kanë talentin dhe klasin që të bëjnë diferencën. Ne rrezikuam, guxuam, por nuk u shpërblyem”.

Maroku u ankua për arbitrin, por Renard u mundua të shmangte polemikat, duke u ndalur te një episod: “Shihni golin, shihni si veproi Pepe dhe më thoni çfarë mendoni!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *