“Një ditë Zoti sheh nga lart”/ Domgjoni pas largimit në Turqi zgjedh mes Shqipërisë dhe Kosovës

David Domgjoni bëri hapin e rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar drejt Menemesporit në Ligën e Dytë të Turqisë. Ish-futbollisti i Laçit i është bashkuar portierit shqiptar Gentjan Selmanit në skuadrën e re, ndërsa ndihet shumë i lumtur për këtë transferim. Në një prononcim për “Supersport”, Domgjoni ka folur më tepër rreth këtij transferimi si dhe mënyrës se si u prit në klubin e tij të ri. Ndërkohë nuk ka lënë pa përmendur edhe ëndrrën për të përfaqësuar Kombëtaren e tij, dhe dilemave se kë duhet të zgjedhë duket se i ka dhënë një përgjigje.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, duke parë që ishte një zyrtarizim në orët e fundit të merkatos. Gjithçka ndodhi pas ndeshjes me Ballshin, kur marr një telefonatë nga menaxheri im Rrahman Kiçe, që më tha se kishte diskutuar edhe me klubin dhe se duhej të nisesha sa më shpejt në Turqi për zyrtarizimin. U ndjeva shumë shumë i gëzuar, pasi është ëndrra e çdo futbollisti shqiptar që luan në Shqipëri që të shkojnë në një kampionat pak më të fortë. Duke qenë se kam 6 vite që luaj në Shqipëri them se kam arritur deri diku majat e futbollit këtu dhe e ndjeja të nevojshme që të provoja një kampionat pak më të fortë siç është Liga e Dytë e Turqisë.

E ardhmja e çdo futbollisti është që të kapë majat, të arrijë sa më shumë dhe në fund të kapë edhe Kombëtaren. Me Gentjanin u takuam sa shkova atje. Më kanë pritur të gjithë shumë mirë, si trajneri si drejtuesit apo edhe tifozët. Gentjani më ka thënë që te Menemespori janë shumë mikpritësa. Lojtarëve të rinj u jap një mesazh të fortë që asnjëherë të mos dorëzohen, pavarësisht sfidave të shumta që do të kenë, pasi një ditë Zoti do të shikojë nga lart dhe do e bëj ëndrrën realitet. Sigurisht që të gjithë lojtarët e kanë një pikësynim dhe dëshiroj që në një moment të caktuar të kem mundësinë të jem pjesë e Kombëtares. Kosova apo Shqipëria? Shqipëria…”, ka përfunduar David Domgjoni./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *