Një album kushtuar Shqipërisë në Euro 2016, Duka: Flasim për sport, jo për zgjedhje

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar FSHF organizoi sot ceremoninë e promovimit të Albumit “EURO 2016”, si dhe njëherësh hapjen e ekspozitës me momentet më pikante dhe më vendimtare të Europianit të Francës, ku Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në historinë e saj në verën e vitit 2016. Prezent në këtë ceremoni ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ish-lojtarë të ekipit kombëtar dhe personalitete të futbollit shqiptar ndër vite.

Pas ceremonisë, presidenti Duka foli për mediat: “Europiani 2016 është suksesi më i madh i futbollit shqiptar deri tani, por ky sukses ka vendosur edhe një standard të ri, me të cilin ne kërkojmë të shkojmë më përpara. Me ne e kam fjalën për futbollistët, trajnerët, tifozët, që kërkojnë akoma më shumë, ndaj përpara futbollit shqiptar dalin objektiva të reja, sepse duhet të synojmë të shkojmë në Europianin 2020, por edhe në Botëror. Uroj që t’ia dalim”.

Liga e Kombeve – “Jemi në prag të shortit të Ligës së Kombeve, një kompeticion i ri, ku duam të jemi protagonistë. Po afron shorti dhe e presim me kuriozitet, sepse nëpërmjet Ligës së Kombeve 4 ekipe shkojnë në Europianin 2020. Më pas do të synojmë Botërorin.

Zgjedhjet e Federatës kanë marrë vëmendje më të madhe se politika – “Dua që të flasim gjithnjë për futbollin, për lojën që u pëlqen gjithë shqiptarëve, që u përqendruan tek Europiani francez. Njerëzit që e zhvillojnë futbollin duhet të jenë sa më të aftë, të duhurit për ta menaxhuar sa më mirë. Nuk dua të merrem me fushatë, jemi mbledhur për të shijuar bashkë këtë ekspozitë të ngjarjes më të madhe të futbollit dhe sportit shqiptar. I kam ftuar të gjithë këtu për sportin, pa përdorur terminologji të tilla që nuk janë aspak sportive. Nuk dua të flas për zgjedhjet, çdo do të shkojë mirë dhe do të bëhet më e mira për futbollin shqiptar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *