Ora 17:00, një stadium i vogël në Gjibraltar, me 2000 vende dhe me fushë me bar artificial, bëhet skena ku Drita e Gjilanit do të kërkojë fitoren e parë në historinë e vet në kupat e Europës, që do të ishte njëkohësisht edhe kualifikimi i parë i një klubi kosovar në kupat e Europës.
Champions League, format i ri: një tur paraeliminator me 4 ekipe, gjysmëfinale e finale me nga një takim, të gjitha në Gjibraltar. Gjibraltari, Andorra, Kosova dhe San Marino: kush e ka skuadrën kampione më të fortë?
Në letër, Drita është dukshëm superiore, pasi përballë sot ka FC Santa Kolomën nga Andorra dhe diferencat janë të mëdha.
Megjithatë, duhet kujdes: Drita ka kryer vetëm 3 javë stërvitje, nuk ka afruar asnjë lojtar cilësor në merkato dhe ka humbur dy sulmuesit titullarë, Astrit Fazliu e Kastriot Rexha, një absurditet, duke i lënë të lirë pikërisht para ndeshjeve më të mëdha në historinë e klubit.
FC Santa Koloma u shpall kampion në Primera Division në Andorrë me 58 pikë, është 11 herë kampion e vendit dhe vetëm në sezonin 2014/2015 ka mundur të kalojë një tur eliminator. Tre sulmues i ka 39 e 40 vjeç, në 16 ndeshje në Champions League ka vetëm 1 fitore e tre barazime, nëse Drita nuk ia del sot, është një dështim kolosal, sidomos në aspektin financiar, sepse kalimi i këtij turi siguron të paktën një vend në Europa League.