Një ditë pas ndeshjes me Islandën kanë qenë të shumtë ata që kanë reaguar për lojën e dobët të Argjentinës dhe kuptohet se ata që u dhemb më shumë ajo fanellë, janë lojtarët që e kanë mbajtur veshur vite më parë. Bëhet fjalë për lojtarë legjendarë, të cilët kanë lënë gjurmë me aktivizimin e tyre tek Argjentina. Havier Zaneti ka thënë se loja e Argjentinës nuk të jep asnjë shpresë për më tej, kurse ish-sulmuesi Hernan Krespo ka theksuar se të gjithë duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se Mesi nuk është Maradona.
ZANETI – “Sigurisht që nuk mund të jemi të kënaqur. Askush nuk e priste që loja e Argjentinës të ishte aq e dobët në ndeshjen e parë të Botërorit. Personalisht, më shumë se nga rezultati, jam i zhgënjyer nga loja e Argjentinës. Nuk e di si do të shkojmë në ndeshjet e radhës, por me atë që pamë ndaj Islandës, jemi shumë pesimistë. Argjentina u shfaq një skuadër e fikur në fushë, pa ide si do të zhvillonte lojën. Nuk e di, nëse do të ndryshojmë apo jo në ndeshjen e radhës me Kroacinë”, – është shprehur ish-mbrojtësi i Interit.
KRESPO – Më i ashpër ka qenë ish-sulmuesi Hernan Krespo, i cili i ka fokusuar kritikat e tij te kapiteni Lionel Mesi, por edhe tek ata që e mbështesin në sulm: “Është e kotë të flasim. Mendoj se Mesi meriton notën 5 për lojën që zhvilloi në atë ndeshje. Po të kishte shënuar me penallti, ndoshta do të meritonte notën 6. Të gjithë argjentinasit presin më shumë prej tij dhe diskutimi për këtë çështje është shumë i gjerë. Por një gjë tashmë është fakt dhe nuk mund ta mohojë askush: Mesi nuk është Maradona dhe i vetëm ai nuk mund ta fitojë dot Botërorin. Duhet ta kuptojnë një herë e mirë të gjithë argjentinasit këtë gjë. Ai është fenomen, kur luan te Barcelona, pasi shokët e skuadrës atje i ka më të mirë, ndërsa me Argjentinën vuan, siç po e shohim të gjithë.
E patë kush e ndihmoi me Islandën? Askush. Di Maria nuk kaloi asnjë lojtar kundërshtar tek për tek. Por edhe mesfushorët e tjerë nuk e mbështetën aq sa duhet”.