Xhani de Biazi, për momentin, është duke shijuar Botërorin si tifoz dhe shpesh si opionist… Ish-trajneri i Shqipërisë, që pret padiskutim një mundësi të artë për një pankinë, qoftë edhe nga një kombëtare që ka marrë pjesë në Rusi 2018, ka folur për katër ndeshjet e fundit të dy grupeve të para, A dhe B. Në një linjë direkte për “RMC”, ai është pyetur për Spanjën, Portugalinë, Uruguajin dhe Rusinë, që janë kualifikuar për në fazën e 1/8-ve.
E pamundur që Iniesta të luajë edhe 20 vite të tjera me këtë formë që ka…?
Ka bërë një zgjedhje jete, besoj se pas shumë vitesh në Europë ka dëshirë për një eksperiencë ndryshe në Japoni. Mosha ecën, edhe pse për futbollistë të tillë do të duhej përjetësia: ai lexon përpara kohe situatat dhe nuk humbet asnjë top.
Spanja luan edhe pa trajnerin Lopetegui…
Futbollistët spanjollë në fushë dinë të menaxhohen, e dinë se ku duhet ta çojnë topin dhe kush duhet ta marrë… Një trajner, në krahasim me një tjetër, mund të ndikojë në nivel motivimi, por për vlerat teknike të Spanjës, nuk ka nevojë për shumë. Skuadrat pa talent, sakaq, duhet të punojnë shumë mbi aspektin e organizimit dhe të kujdesit taktik.
Sa ndikon Ronaldo te Portugalia?
Eshtë 90% e skuadrës, është bërë futbollisti më i rëndësishëm në botë për dëshirën dhe vendosmërinë, edhe në kurimin e fizikut të tij. Arrin që të dominojë të tjerët, që luajnë më lehtë se ai. Duhet të merret në konsideratë Portugalia si favorite për titullin, edhe pse nuk është e tillë në letër. Sigurisht, vuajti më shumë nga sa duhet me Iranin, teksa portieri do t’i tregojë nipërve të tij se i ka pritur penallti një prej futbollistëve më të mirë të historisë së futbollit, pra Ronaldos.
Rusia, sapo është përballur me një ekip niveli, ka zhgënjyer. Si e sheh?
Nuk mbërrin dot askund. Arabia Saudite dhe Egjipti, dy skuadrat e mundura nga Rusia në grup, nuk vunë në vështirësi askënd. Me Uruguajin, pësuan 3 gola dhe nuk janë pak, sidomos për një kombëtare që luan në shtëpi. Në fazën e 1/8-ve do ta kenë tepër të vështirë, por në futboll kurrë nuk i dihet.
Diçka dhe për Uruguajin…
Luan në mënyrë kompakte dhe ka aftësi për të rinisur sulmet me shpejtësi. Për mënyrën se si qëndron në fushë është skuadër që i afrohet formacioneve evropiane