Orët e fundit… Pritja për Rusi 2018 do të mbarojë sot në orën 17:00 kur në impiantin madhështor “Luzhniki” të Moskës, Rusia dhe Arabia Saudite do të ngrenë siparin e Kupës së Botës, eventit më të rëndësishëm botëror. Ky do të jetë edicioni i 21-të i kampionatit botëror, një ide që lindi në vitin e largët 1930, kur Zhyl Rime pati intuitën për të na dhuruar një magji e cila na shoqëron çdo katër vjet, duke na mbajtur për 1 muaj të lidhur pas televizorit…
Sigurisht, spektakli përpara topit të parë që do të shkelmohet, ka nisur që një natë përpara, pra mbrëmë, kur në Sheshin e Kuq, në skenën e ngritur, u zhvillua koncerti gala që hapi manifestimin.
Ai që drejtoi orkestrën, Valeri Gregiev, pianisti Denis Matsujev me sopranon Ana Netrebko dhe tenorët Plasido Domingo dhe Huan Diego Florez. i pranishëm edhe kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, që pasditen e djeshme ishte edhe në kongresin e 68-të të FIFA-s.
Por, sigurisht, spektakli më i madh do të jetë përpara ndeshjes së hapjes. Yjet e anonncuara postar Robi Uilliams (ish i grupit Take That) dhe soprano Aida Garifullina, që do të jenë protagonistët e duetit dhe asi brazilian Ronaldo Luiz Nazario da Lima (kampion bote në vitin 2002). Eventi është lënë në dorë të Feliks Mikhailovit, ekspert i krijimtarisë së spektakleve.
“Jam kaq i lumtur që kthehem në Rusi për një paraqitje që e cilësoj unike”, tregon Uilliams. “Kam bërë shumë në karrierën time, por të hapësh Kupën e Botës, përpara 80 mijë tifozësh, ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua. Do të jetë një festë e paharrueshme”.
FIFA ka lajmëruar që ceremonia do të jetë “shumë muzikale”. Më pas, argjentinasi Pitana do të vërshëllejë kështu nisjen e Botërorit.
Istrefi – Do të jetë edhe pak Shqipëri në Rusi 2018. 25 maji ka shënuar edhe zyrtarizimin e hitit më të ri dhe atij që do të simbolizojë Botërorin e futbollit. Këngëtarja e mirënjohur nga Kosova, Era Istrefi, në bashkëpunimin me aktorin Uill Smith dhe Niki Xhem kanë bashkuar forcat për të sjellë superhitin e kësaj vere. “Live it Up” është një këngë që e ka të garantuar suksesin gjatë kësaj vere, falë të qenit ritmike, në qendër të vëmendjes për shkak të futbollit, sportit më të përhapur në mbarë botën, e gjithashtu për pjesëmarrësit në të.
Prodhim i producentit Diplo, kënga është e gjitha në anglisht, por ajo që të bie në sy është zëri kumbues i Era Istrefit në refren. Kënga është publikuar në “Youtube” nga Nicky Jam, thjesht si kolonë zanore, por për herë të parë do të ekzekutohet në finalen e Botërorit, duke pasur të garantuar shikueshmërinë e tejskajshme. Pra, në “Luzhniki” do të dëgjojmë dhe shohim edhe Era Istrefin, për t’u krenuar edhe më shumë… Sepse, Botërori është vitrina më e madhe. Sigurisht, jo me pak vështirësi, pasi i është dashur të bëjë disa procedura për të siguruar vizën, që dihet se në Rusi është tepër e vështirë.