Trajneri Shpëtim Duro pas ndeshjes për “Gol pas Goli” është shprehur shumë i kënaqur për performancë e skuadrës së tij.
“Është një rezultat pozitiv. Dëshira ime ishte që të mos pësonim, Kjo u arrit. Akoma më shumë shënuam një gol falë një loje shumë të kujdesshme. Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë se e para. Mund të shënonim dhe më shumë. Skuadra është rigoroze në situata të tilla, sidomos në ndeshje të tilla me specifikë të veçantë. E veçantë është kur luan me të njëjtën skuadër dy herë në tre ditë”, tha në Supersport Duro.
Më pas trajneri i Flamurtarit foli edhe për kundërshtarin dhe afrimet që ka bërë nga Maqedonia, me Lukas që ka qenë në planet e vlonjatëve, por në fund Partizani ua mori.
“Luajtëm dy ndeshje me Partizanin, një Partizan që në të dyja ndeshjet ka luajtur në mbrojtje dhe ka dashur që të shfrytëzojë hapësirat dhe kundërsulmet. Nuk ka arritur jo vetëm të shënojë, por dhe të krijojë. Jemi skuadër më solide jashtë, por brenda këto ndeshje jam shumë i kënaqur, ndaj një kundërshtari si Partizani. Unë i njoh lojtarët që kanë ardhur. Lukas ka qenë në projektin tim, na ka ikur në momentet e fundit. Abdurrahimi është shumë cilësor, nuk e di a do t’i bëjë punë Partizanit. Progni dhe Bardhi do kisha dëshirë t’i kisha pjesë të projektit tim, janë lojtar polivalent, pasi janë lojtar shumë të rëndësishëm për një skuadër”, deklaron Duro.
“Alvesh është një djalë shumë i mirë, lojtar kryesor i skuadrës. Që ta kritikosh nuk do të thotë se nuk e do, por duhet vënë në pozita pune. Ka kapacitet, nuk është lojtar tipik goli, por ka lëvizshmëri të jashtëzakonshme. Nëse do shënonte 4-5 gola në fazat e para do të ishim shumë afër vendit të parë. Nuk ka lidhje lojtari i ardhur, unë nuk e njoh. Kam biseduar me Igli Taren personalisht dhe duhet ta respektojmë mendimin e tij që po bën gjëra të mëdha në Itali. Mund të jesh lojtar i mirë, por varet se si ambientohet. Futbolli shqiptar është shumë i vështirë, shumë taktik dhe shumë fizik, kjo falë trajnerëve shqiptar. Konstatim i të gjithëve atyre që vijnë këtu. Është pjesë e skuadrës, do ta shohim në vazhdimësi lojtarin e ri.”
“E ndjej veten shumë mirë këtu në të gjitha aspektet, si nga opinioni edhe nga presidenti. Jam shumë fuqiplotë, në kuptimin e mirë të fjalës. Një trajner kur vendos për çdo gjë vetë është e padiskutueshme që punët do të ecin mirë. Ka dhe raste të veçanta, por kur e bën çdo gjë vetë mundësia më e madhe është që punët të ecin mirë. Nëse kualifikohemi do të jetë një element i rëndësishëm. Kemi luksin të luftojmë në dy fronte. Do të tentojmë deri në fund. Vështirësia është për Partizanin, pasi është pak larg nga kampionati. Eliminimi do të jetë një goditje e madhe, pasi ka investuar shumë. Në këtë aspekt jem imë të qetë pasi jemi në dy rrugë të sigurta”.